Faqja zyrtare e Dolces në Instagram ka bllokuar komentet pas spektaklit “Prime” të së premtes në Big Brother VIP Kosova 4, një veprim që ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve dhe ka nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale.
Ky vendim vjen menjëherë pas një mbrëmjeje ku Dolce ishte një nga banoret më të përfolura të spektaklit.
Gjatë “Prime”-it, lidhja e saj me Limin dhe skenat intime mes tyre, të zhvilluara para syve të Albës – ish-e dashurës së Limit – shkaktuan reagime të forta nga publiku. Situata u komentua gjerësisht si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj, duke e kthyer Dolcen në një nga emrat kryesorë të diskutimit të javës.
Në rrjetet sociale, reagimet kanë qenë të ndara. Krahas komenteve mbështetëse dhe atyre që e përgëzonin për mënyrën se si po e jeton lidhjen e saj, nuk kanë munguar as kritikat e ashpra.
Disa ndjekës e kanë akuzuar Dolcen për mungesë empatie ndaj Albës, duke e konsideruar situatën si emocionalisht të rëndë për këtë të fundit.
Mesa duket, përballë valës së komenteve dhe kritikave, bllokimi i komenteve në Instagram ka qenë zgjedhja më e përshtatshme në këtë fazë.
Vendimi mendohet të jetë marrë nga menaxhmenti i saj nga jashtë, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të debatit dhe mbrojtjen e imazhit të saj gjatë një periudhe kaq të ndjeshme brenda lojës.
