Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar me forcë ndaj deklaratave të Dardan Krasniqit, i cili ka sugjeruar se pritet arrestimi i dy kryetarëve të komunave, përfshirë edhe Pecin.
Kjo situatë ka shkaktuar tensione dhe ka nxitur një përgjigje të menjëhershme nga Peci.
Peci, në një postim të tij, ka bërë të ditur se do ta padisë Krasniqin për shpifje, duke e akuzuar atë për përhapjen e informacionit të rremë që shqetëson familjen dhe mbështetësit e tij.
“E ndjeva të nevojshme të reagoj, pasi Dardan Krasniqi, një individ që nuk e meriton as emrin e tij, ka shpifur për arrestimin tim nga Prokuroria Speciale. Dua të sqaroj se nuk kam asnjë aktakuzë të ngritur ndaj meje,” tha Peci.
Ai vazhdoi duke theksuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me mekanizmat e drejtësisë dhe se do të përgjigjet nëse ndonjëherë do të ftohet për të dhënë dëshmi.
Peci gjithashtu e akuzoi Krasniqin dhe disa media për përhapjen e dezinformatave, duke thënë se këto veprime janë të dëmshme dhe të papranueshme. “Këto shpifje po e shqetësojnë familjen time dhe ata që më mbështesin,” theksoi ai.
Ai përmendi se ka informacione për përpjekjet e vazhdueshme të AAK-së që nga momenti kur ai e largoi atë nga zyrat në Ulpianë, duke e quajtur këtë një tentativë për të minuar autoritetin e tij.
“Dardan Krasniqi, nga sot e ke padinë për shpifje. Nuk do të lejoj që emri im të përdoret për të përhapur frikë dhe pasiguri,” përfundoi Peci, duke shprehur vendosmërinë e tij për të mbrojtur veten dhe reputacionin e tij.