Web Analytics

Për herë të parë Komuna e Zveçanit me organizime për 28 Nëntor

Botuar nga: InfoKosova

Kulla e heroit kombëtar, Isa Boletini, edhe këtë 28 Nëntor ka qenë adresë për shumë shqiptarë. Këtë vit, për herë të parë u festua edhe me organizime të komunës së Zveçanit.

Si çdo nëntor, Gazmend Boletini po pret e përcjell mysafirë të shumtë, të cilët për festën e flamurit erdhën në Boletin.

Festa, sipas stërnipit të heroit kombëtar, këtu kishte filluar me të nisur muaji nëntor.

“Fillimisht me shkollat e Kosovës, e Shqipërisë, pastaj edhe nga Kosova lindore… Besoj që sot pranë varrit të tij, pranë eshtrave të tij, bashkëluftëtarëve të tij, me mijëra mijëra qytetarë sot e nderuan dhe e respektuan veprën dhe jetën e Isa Boletinit dhe kontributin e tij në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”, ka thënë Boletini.

Nga Tirana në Boletin, erdhi edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

“Këta gurë (të kullës së Isa Boletinit) qëndrojnë përherë garanci e identitetit tonë kombëtar, e përkatësisë sonë evropiane, e vendosmërisë tonë për të ndërtuar shoqëri demokratike, evropiane, por të pavarura dhe me liri të pacënuara”,ka thënë Basha.

Me të, ishin edhe një delegacion i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Ky 28 nëntor, u festua më ndryshe në Boletin. Për herë të parë, organizime u mbajtën edhe nga komuna e Zveçanit, ku prej muajsh udhëheqë një kosovar.

“Me të vërtetë, prej pasluftës për herë të parë është mbajtë manifestimi tek kulla e Isa Boletinit nën patronazhin e kryetarit të komunës.

Është një kënaqësi e veçantë për mua… Do të vazhdojmë tash tek varrezat e dëshmorëve në Shipol, në Prekaz, Gllogjan dhe kështu besoj brenda ditës do t’i vizitojmë disa vende”, ka thënë kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

Në Boletin, gjatë ditës ka qëndruar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, raporton RTVD./Telegrafi/

Të FUNDIT