Një debat i ashpër mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, shënoi mbylljen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila u zhvillua të martën mbrëma.
Gjuriqi, në fjalën e tij, e quajti aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të pamjaftueshëm, duke shprehur kritika ndaj Kosovës dhe Shqipërisë për reagimet e tyre ndaj këtij vendimi.
Megjithatë, ai nuk përmendi asnjëherë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. Në lidhje me fatin e të pagjeturve, Gjuriqi theksoi se kjo çështje nuk mund të zgjidhet përmes negociatave politike.
Konjufca reagoi menjëherë pas fjalës së Gjuriqit, duke e akuzuar atë për heshtje mbi krimet e bëra ndaj popullsisë civile në Kosovë.
Ai theksoi se Serbia ka vrarë 12 mijë njerëz të pafajshëm, duke e sfiduar Gjuriqin për mos përmendjen e këtyre viktimave në fjalën e tij.
Sa i përket vendimit të Dhomave të Specializuara që shpallën fajtorë disa ish-krerë të UÇK-së, Konjufca theksoi se Kosova do të angazhohet për të korrigjuar padrejtësitë në shkallën e Apelit.
“U theksua qartë se lufta e UÇK-së nuk është në gjykim dhe vendimi nuk ka për qëllim të dëmtojë vlerat e luftës çlirimtare. Ne kemi shqetësime serioze për dënimet e ashpra dhe presim që ato të korrigjohen në Apel,” tha ai.
Gjuriqi, nga ana e tij, përmendi incidente fetare në Kosovë, ndërsa Konjufca e mbrojti vendin si një shembull të tolerancës fetare, duke përmendur zgjedhjen e një presidenteje katolike.
Me ironi, ai theksoi se shumica e viktimave në Masakrën e Mejës ishin katolikë, duke e pyetur Gjuriqin se si Serbia mbron krishterizmin në këtë kontekst.
Konjufca gjithashtu e kritikoi Serbinë për mosdorëzimin e kriminelit Milan Radoiçiq, duke e këshilluar Gjuriqin të mos bëjë fotografi, pasi kjo tregon obsesionin e tij për të ardhmen evropiane.