Web Analytics
E shtunë, 8 Nëntor, 2025
11.3 C
Pristina

“Përshëndeti nënën dhe doli jashtë dyerve …”, Prokuroria me detaje të reja, kërkon 30 ditë paraburgim për Astrit Isufin

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të Astrit Isufin i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 6 nëntor në fshatin Golluboc të Komunës së Malishevës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se A.I., rreth orës 11:25, ka privuar nga jeta D.M. dhe N.M., të dy nga i njëjti fshat.

I dyshuari, që është dhëndër i familjes së viktimave, kishte shkuar në shtëpinë e tyre për të marrë bashkëshorten e tij, I.M., dhe fëmijët e tyre, të cilët ndodheshin aty për ceremoninë e varrimit të babait të saj.

Gjatë largimit nga shtëpia, ka shpërthyer një debat mes A.I.-së dhe vëllezërve të gruas së tij, ku më pas i dyshuari ka nxjerrë një pist.oletë të llojit TT dhe ka shtënë disa herë në drejtim të D.M. dhe N.M., duke i lënë të dy të vdekur në vend.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.I., më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 min, në fshatin Golluboc – Komuna e Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët D.M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc – Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D.M., dhe N.M., shkon në vendin e cekur më lartë, tek shtëpia e të ndjerëve për t’a marr bashkëshorten I.M., dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe tani të ndjerët D.M., dhe N.M.,

e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur dëshmitarja I.M., përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit në rrugë vëren të pandehurin – bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me armë të llojit

Pist.oletë TT në drejtim të vëllait të saj tani të ndjerit D.M., e më pas shtënë po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër të saj tani të ndjerë N.M., të ndjerët D.M., dhe N.M., nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrire përtokë, i pandehuri hedh pist.oletën dhe largohet në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat dërgohen në QKMF Kijevë pa shenja jete, të nesërmen i pandehuri arrestohet.

Pas ngjarjes, i dyshuari ka hedhur ar.mën dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktimat janë dërguar në QKMF-në e Kijevës pa shenja jete. Të nesërmen, A.I. është arrestuar nga policia.

Prokuroria e ngarkon të pandehurin me veprat penale “Vra,sje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ai ndodhet nën masën e ndalimit 48 orësh, në pritje të vendimit të gjykatës për kërkesën e paraburgimit.

Nga Rubrika