Web Analytics

Policia largon mjetet shpërthyese në QKUK: Janë materiale shkollore, nuk paraqesin rrezik

Botuar nga: InfoKosova

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka njoftuar se mjetet që dyshohet të jenë shpërthyese, gjendeshin në Institutet Paraklinike në QKUK, përkatësisht në hapësirat ku është vendosur Oda e Mjekëve e Kosovës.

SHSKUK thotë se informacioni për hasjen e mjeteve shpërthyese është pranuar rreth orës 14:00.

“Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm”.

“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese”.

Sipas SHSKUK mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës.

“Mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve”, njofton tutje SHSKUK.

Ndërkohë Policia e Kosovës njofton se rreth orës 16:15, ekipet e specializuara për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë përfunduar me pastrimin e vendgjarjes nga mjetet e dyshuara.

“Të njëjtat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe nuk paraqesin rrezik pasi që janë materiale shkollore”, ka njoftuar për Telegrafin Policia e Kosovës. /Telegrafi/

Të FUNDIT