Web Analytics

Arratisja e Enver Sekiraqes, flet avokatja e tij

Kosovare Kelmendi, e cila është avokatja e Enver Sekiraqes, ka thënë se nuk e di se ku është klienti i saj dhe se në bazë të veprimeve që ka ndërmarrë policia nuk kontestohet se ai është arratisur por që edhe për këtë çështje u tregua e rezervuar.

“Unë nuk mund të konfirmoj, kjo quhet arrati por nuk mund të konfirmoj se është arrati, sepse nuk kam informacione. Pikë jo kontestuese është se policia nuk e ka gjet në shtëpi. Këtë e di e pashë edhe prej portaleve, por që është në arrati këtë nuk e di. Nuk kam asnjë informacion”, tha Kelmendi.

Tutje e njëjta shtoi edhe se ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit gjatë ditës së djeshme (17.05.2024) përmes e-mailit.

“Po e kam pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit dje, në e-mail e kam pranu edhe unë nuk jam në dijeni për zotin. Të them të drejtën unë e di se do të ushtrohet kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë tutje në Supreme si mjet i jashtëzakonshëm juridik dhe tutje nuk kam informacion tjetër kurrgjo”, tha Kelmendi, për KALLXO.com.

Pasi ishte ushtruar ankesë nga ana e Prokurorisë Speciale për vendimin të lirimit në arrest shtëpiak për Enver Sekiraqen, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që të aprovoj këtë ankesë dhe të njëjtin ta rikthente në masën e paraburgimit, aktvendim ky për të cilin njoftimi bë më 17.05.2024.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj nuk komentoi vendimin paraprak për masën e arrestit shtëpiak e tha se tashmë çdo veprim tjetër i takon vetëm gjykatës.

Ai nuk komentoi vendimet e gjykatës as njërin e as tjetrin deri sa foli për veprimet që kanë ndërmarrë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda kishte marrë vendim më 03.05.2024 që të liroj nga paraburgimi Sekiraqen dhe ti ndryshoj masën në arrest shtëpiak.

“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020, të datës 03.05.2024, të pandehurit E.S., i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak me datën 03.05.2024 dhe i njëjti është liruar të mbrohet në liri”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Në të njëjtin njoftim thuhet se Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin e datës 17.05.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurit Enver Sekiraqa i është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykimin e gjykatës themelore.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar sot se Enver Sekiraqa, është arratisur pas ndryshimit të masës së sigurisë, pasi Gjykata e Apelit dy ditë më parë kishte vendosur që të njëjtin ta kthejë në paraburgim.

Policia ka konfirmuar për Telegrafin se tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqes.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Telegrafin.

Më tej Policia thotë se “meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arratisjes së Enver Sekiraqes, duke thënë se dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet herë në arrest shtëpiak e pastaj në liri, deri në një aktvendim tjetër, kësisoj arratiset tërësisht.

Haxhiu ka thënë se kjo ndodhi edhe me Enver Sekiraqen, i cili ishte dënuar ditë më parë me burgim prej 25 vitesh për vrasjen e policit të Policisë së Kosovës.

“Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook. /Telegrafi/

Nga rubrika