Organizatorët e Festivalit të Këngës në RTK, të njohur tani si “Akordet e Kosovës”, kishin planifikuar që Rita Ora të ishte mysafire speciale në edicionin e këtij viti, por bisedimet për pjesëmarrjen e saj kanë dështuar.
Burime të afërta me organizatorët kanë zbuluar se negociatat me menaxhmentin e këngëtares ishin në zhvillim, me shpresën se ajo do të udhëtonte në Prishtinë gjatë muajit tetor.
Megjithatë, pengesat financiare kanë bërë që marrëveshja të mos arrihet. Kostoja e lartë e kërkuar nga menaxhmenti i Rita Orës ka qenë një faktor kryesor në këtë dështim.
Organizatorët e festivalit kanë tentuar të gjejnë një zgjidhje më ekonomike, duke propozuar që këngëtarja të udhëtonte pa një staf të madh shoqërues, por edhe kjo mundësi ka rezultuar e pamundur për shkak të buxhetit të kufizuar.
Drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, ka diskutuar këtë çështje para Bordit të RTK-së, duke shprehur shqetësimin për koston e lartë që kërkohej për pjesëmarrjen e Rita Orës.
Ajo ka theksuar se kishte tentuar të kontaktonte edhe familjen e këngëtares, por shuma e kërkuar ishte përtej mundësive financiare të festivalit.
“Nuk është se nuk kam insistuar me familjen e saj për të qenë, por ajo ka kosto shumë të kushtueshme. Natyrisht që ka kërkuar kosto të madhe dhe ne s’kemi pas mundësi as me mendu tutje”, ka deklaruar Avdiu para anëtarëve të Bordit.
Ndërkohë, në maj të këtij viti, RTK-ja ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, duke siguruar 1.2 milion euro për një periudhë trevjeçare, me 400 mijë euro në vit për festivalin “Akordet e Kosovës”.
Edhe pse festivali ka ndryshuar emrin, rregullorja e tij mbetet e njëjtë me atë të mëparshme të Festivalit të Këngës.