Web Analytics

Qeveria ua përkujton qytetarëve përmes SMS-ve: S’mund të punoni në zonën Schengen, vetëm vizita afatshkurta

Botuar nga: InfoKosova

Qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Shengen nga 1 janari i vitit 2024.

Qeveria ditë më parë ka nisur një fushatë për t’i informuar qytetarët për rregullat që duhet të ndjekin për të udhëtuar pa viza.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme këto rregulla ekzekutivi ua përkujtuar qytetarëve edhe përmes SMS-ve.

“Nga 1 janari, pa viza! Të keni: pasaportë, akomodim, biletë kthyese, dëshmi financiare. Vetëm vizita afatshkurta, jo punësim. 90/180 ditë”, thuhet në mesazh.

Po ashtu, Qeveria ka bashkëngjitur edhe një link me pyetjet më të shpeshta për këtë proces dhe përgjigjet e tyre.

Ndryshe, ditë më parë edhe kryeministri Albin Kurti iu ka bërë thirrje qytetarëve për respektim të rregullave të udhëtimit, pasi, siç ka thënë ai, në të kundërtën shteti rrezikon kthimin e regjimit të vizave.

“Liberalizimi i vizave është për vizita afatshkurtër dhe jo për studime dhe punë… Qytetarët, të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm se shkeljet e rregullave edhe individualisht, por kur pastaj të mblidhen mund të çojnë në gjoba dhe në ndalesë të zonës Shengen”, është shprehur Kurti.

Bazuar në vendimin e Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në ditën kur funksionalizohet sistemi evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, i njohur si ETIAS, por në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në shtetet e BE-së, pos në Spanjë dhe në disa shtete që nuk janë pjesë e bllokut, por janë pjesë e zonës Shengen. /Telegrafi/

Të FUNDIT