Web Analytics

Rama: Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albin Kurtin

Botuar nga: InfoKosova

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp nga Podgorica pas takimit me Dritan Abazoviç komentoi edhe vizitën e djeshme në Prishtinë ku nuk u takua me Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk shkoi atje për “t’u martuar me Albinin”.

Ai u shpreh se nuk ka asnjë problem personal dhe institucional me Kurtin.

Sipas Ramës, janë vetëm qëndrime të kundërta në lidhje me një çështje të caktuar dhe se të dyja palët kanë ide të ndryshme se si duhet trajtuar ajo.

Rama theksoi se në samitin e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë, Kurti është i ftuar.

Madje sipas tij, në Tiranë, Kurti është në shtëpinë e vet duke shtuar se “mund edhe të futet në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë”.

“Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin dhe nuk ndihem i fyer si një dhëndër të cilit nusja nuk i doli në takim.

Shkova në Prishtinë siç erdha dhe këtu, siç do shkoj dhe pas pak në Beograd për të pasur takime si kryeministër i Shqipërisë.

Në mënyrën më absolute nuk kam asnjë problem personal dhe aq më pak pastaj një problem institucional me kryeministrin e Kosovës.

Kam vetëm qëndrime të kundërta lidhur me një situatë të caktuar.

Kaq. Natyrisht këtë situatë e përjetojmë dhe duam ta trajtojmë në mënyra të ndryshme.

Unë e përjetoj si një situatë që duhet ta trajtojmë së bashku duke ulur dhe biseduar.

Albini e përjeton si një situatë që duhet ta trajtojë pa u takuar dhe pa biseduar dhe është në të drejtën e tij.

Nuk jam këtu për të bërë interpretime të natyrës psikologjike, folklorike, nacional heroike.

Thjesht thashë dhe përsëris që në Takimin e Tiranës, pavarësisht se kush është qëndrimi i BE-së, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në Takimin e Tiranë për procesin e Berlinit Kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar.

Unë dëshiroj që të jemi të gjashtë, bashkë aty, përtej faktit që mund të mos jetë i ftuar ose mund të mos e ftojnë në vende të tjera.

Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e vet, ku siç e dini madje mund edhe të futet në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë, nuk ka asnjë problem”, tha Rama.

Shiko Videon:

Të FUNDIT