Reformatimi i garave të FIFA-s: Plani ambicioz i Infantinos për rritjen e kompeticioneve

Projekti i ri i Gianni Infantinos për ta transformuar FIFA-n në një ent më të hapur ndaj investimeve private po shkakton një valë tensioni në botën e futbollit. Pas reagimeve të forta nga UEFA, CONCACAF dhe AFC, zbulime të reja rreth këtij plani po rrisin shqetësimet dhe diskutimet rreth tij.

Sipas informacioneve të publikuara nga “The Guardian”, banka e investimeve “JP Morgan” ka përgatitur një prezantim të detajuar prej 25 faqesh për FIFA-n, i cili është dërguar te 211 federatat anëtare. Ky dokument shpjegon vlerësimin ekonomik të një kompanie të re tregtare, e cila do të quhet “FIFA Forward Enterprise” (FFE).

Plani i propozuar parashikon krijimin e një shoqërie të re që do të menaxhojë kompeticionet kryesore të FIFA-s. Një pjesë e aksioneve, rreth 20%, do të shiten investitorëve privatë për një shumë prej 4.2 miliardë dollarësh (3.7 miliardë euro).

Edhe pse FIFA tashmë gjeneron të ardhura vjetore prej rreth 3.6 miliardë dollarësh, “JP Morgan” vlerëson se organizata është ende e nënvlerësuar në treg, sidomos në krahasim me ligat e tjera sportive si NFL dhe NBA, të cilat arrijnë të ardhura shumë më të larta.

Për të rritur fitimet, banka sugjeron një strategji të guximshme që përfshin zgjerimin e numrit të kompeticioneve dhe shfrytëzimin më të madh të të drejtave televizive përmes marrëveshjeve të ndryshme. Kjo do të hapë mundësi të reja për investitorët e jashtëm dhe do të përdorë instrumente financimi inovative.

Një nga pikat më të diskutueshme të këtij plani është rritja e numrit të turneve. Sipas analizës së “JP Morgan”, FIFA duhet të kalojë nga rreth 200 në 450 kompeticione në vit, duke përfshirë turnetë e kombëtareve dhe ato të moshave.

Kjo ide rikthen në qendër të debatit propozimin për zhvillimin e Kupës së Botës çdo dy vite, një ide që ka hasur kundërshtime të forta nga federatat dhe lojtarët e futbollit në të kaluarën.

Zbulimet e fundit nga “The Guardian” gjithashtu ngrenë pyetje mbi procesin e vendimmarrjes. Edhe pse konsultimet me federatat kombëtare janë ende në vazhdim, dokumenti tregon se investitorët e përzgjedhur do të kenë akses në informacione të detajuara që nga muaji gusht, duke ngritur shqetësime për transparencën e këtij procesi.

 

Nga Rubrika