«Askush nuk e kupton mekanikën kuantike», tha Richard Feynman, një nga fizikantët më të njohur të shekullit të 20-të, i cili fitoi çmimin Nobel për kontributet e tij në këtë fushë.
Edhe Albert Ajnshtajni, një nga pionierët e teorisë kuantike, kishte dyshime për disa aspekte të saj, duke thënë: «Zoti nuk luan zare me universin».
Megjithatë, hakerët dhe kriminelët kibernetikë mund të përballen me sfida të reja, pasi shkencëtarët po zhvillojnë teknologji që mund të bllokojë sulmet e tyre që në fillim.
Një grup kërkuesish në Institutin Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë (NIST) në SHBA ka arritur një përparim të rëndësishëm, i cili mund të verifikojë me saktësi nëse një individ ndodhet në vendin që deklaron.
Kjo metodë ka potencialin të parandalojë mashtrimet e avancuara, përfshirë sulmet phishing dhe videon e rreme të krijuara me teknologji deepfake.
Përmes përdorimit të pajisjeve me ndjeshmëri të lartë, studiuesit zbuluan se veçoritë e mekanikës kuantike mund të mbyllin boshllëqet që lejojnë hakerët të kapërcejnë sistemet e verifikimit online.
Qëllimi është që teknologjia kuantike të krijojë një lidhje të pandërprerë mes realitetit fizik dhe atij digjital, duke kontrolluar lëvizjen e grimcave të dritës, të njohura si fotone.
Sipas parimeve të fizikës kuantike, dy fotone mund të jenë të «ngatërruara», duke zbuluar vendndodhjen e njëra-tjetrës në mënyrë misterioze, pavarësisht distancës së madhe mes tyre.
Meqenëse fotonet udhëtojnë me shpejtësinë e dritës, një haker do të duhej të arrinte këtë shpejtësi për të ndërhyrë gjatë procesit të verifikimit, një gjë e pamundur për çdo objekt me masë.
Në një studim të botuar në revistën shkencore Nature, ekipi i NIST-it thekson se kjo metodë mund të verifikojë nëse një person ndodhet realisht në një vend të caktuar, si një bankë apo një ndërtesë qeveritare.
Implementimi i kësaj teknike në praktikë mund të kërkojë deri në një dekadë, por ajo ka potencialin të mbrojë të dhënat personale dhe të pengojë sulmet phishing të kryera përmes telefonit ose videos.
Aplikimet e mundshme shtrihen gjithashtu në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si termocentralet dhe sistemet e furnizimit me ujë.
Zhvillimi i inteligjencës artificiale (IA) ka sjellë sfida të reja, duke përfshirë mashtrimet me video dhe zë të rremë, që bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u identifikuar.
Ndërsa bashkimi i IA-së me informatikën kuantike mund të fuqizojë hakerët, të njëjtën teknologji mund ta përdorim për mbrojtje dhe për të luftuar sulmuesit.
«NIST dhe shumë organizata të tjera kërkimore po zhvillojnë teknologjitë që do të mbështesin një rrjet të tillë kuantik», tha Krister Shalm, një fizikant në NIST.