Pas barazimit në derbin miqësor ndaj Milanit, trajneri Cristian Chivu shprehu optimizëm për zhvillimin e lojtarëve të tij. Ai theksoi se për momentin, rezultatet nuk janë prioritet, por përmirësimi i performancës dhe angazhimi i ekipit janë në qendër të vëmendjes.
“Shoh rritje, djemtë po angazhohen shumë dhe këto ditë kemi punuar fort. Në këtë moment nuk na interesojnë shumë rezultatet e ndeshjeve që luajmë, por duam të bëjmë një punë të mirë dhe mbi të gjitha të përmirësohemi fizikisht”, tha Chivu pas ndeshjes që u zhvillua në Perth.
Trajneri i Interit vlerësoi disa nga lojtarët që patën minuta të mira, duke theksuar se cilësia e treguar është inkurajuese, edhe pse ata nuk janë akoma në formën më të mirë. “Disa lojtarë patën minuta të mira dhe jemi të kënaqur me cilësinë që treguan, edhe pse nuk janë ende në formën më të mirë dhe këmbët nuk janë akoma të freskëta”, pranoi ai.
Chivu gjithashtu theksoi se fillimi i ndeshjes ishte i vështirë, me disa gabime në qarkullimin e topit dhe në daljen nga mbrojtja. “Në fillim të ndeshjes patëm pak vështirësi për t’i zënë hapësirat, bëmë disa gabime më shumë në qarkullimin e topit dhe në daljen nga mbrojtja, ishim pak me nxitim për t’i bërë si duhet gjërat”, shpjegoi ai.
Megjithatë, ai vlerësoi edhe kundërshtarin, që e vendosi ekipin në vështirësi me presionin e tij. “Gjithsesi duhet vlerësuar edhe kundërshtari, që na vendosi në vështirësi me presionin e tij”, tha Chivu.
Me kalimin e minutave, ai vuri në dukje se ekipi filloi të rritej dhe të gjejë më shumë mundësi për të sulmuar. “Me kalimin e minutave u rritëm, gjetëm më shumë mënyra për të dalë përpara dhe mendoj se luajtëm mjaft mirë”, përfundoi ai.