E shtunë, 28 Shtator, 2024
12.3 C
Pristina

Si u përfshi djali i ‘Cipiripit’ në tentim vrasje dhe cila është e kaluara e tij kriminale

9 fishekë, një armë dhe pesë gëzhoja u gjetën mbrëmë në Podujevë, pas gjuajtjes me armë mes pesë personave.

Tre persona u arrestuan, dy të tjerë janë në kërkim dhe dy vetura u konfiskuan në afërsi të Fabrikës së Metalit në Podujevë.

Rasti kishte nisur në njërin nga shisha – bar-et e qytetit, ku dyshohet se fillimisht shtiu me armë një person i njohur shumë për organet e rendit.

Bëhet fjalë për Vlerëson Rrahimin, i njohur edhe për raste të tjera kriminale në Podujevë.

Ai u arrestua bashkë me Nexhat dhe Arton Hazirin.

Derisa, edhe dy persona të tjerë të dyshuar sit ë përfshirë në tentim vrasjen e mbrëmshme në Podujevë, janë shpallur në kërkim.

Por, kush është Vlerëson Rrahimi?

Vlerëson Rrahimi është emër i njohur për organet e rendit.

Në qershor të vitit të kaluar, Vlerëson Rrahimi, bashkë me vëllain e tij Artonin, dyshohet se kryen edhe një tentim vrasje në Podujevë.

Në atë kohë, Policia raportonte se Arton Rrahimi ishte dorëzuar në polici dhe bashkë me të, kishte dorëzuar edhe armën dhe fishekët që i kishte përdorur për ta kryer vrasjen e cila mbeti në tentativë.

Derisa, për Vlerëson Rrahimin, thuhej se gjendet në arrati dhe do të arrestohet në momentin kur do të shihet nga ana e Policisë së Kosovës.

Por, Gazeta Insajderi, ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës për të mësuar nëse Vlerëson Rrahimi, ishte arrestuar për rastin e para një viti, apo veprën e dytë të njëjtë që dyshohet se e kreu mbrëmë e ka bërë si i arratisur.

Vlerëson Rrahimi – I arrestuar për tentim vrasje

Vlerëson Rrahimi është djali i Fazli Rrahimit, i njohur në Podujevë si “Cipi” apo “Cipiripi”.

Ai ishte njohur si problematik në rajonin e Llapit dhe ishte vrarë para më shumë se 18 viteve në qendër të qytetit të Podujevës.

E për rastin e mbrëmshëm Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media.

Aty u bë e ditur se janë arrestuar tre persona, dhe janë konfiskuar një pistoletë, 9 fishekë, 5 gëzhoja dhe dy vetura.

“Rr. 19 Qershor, Podujevë 18.06.2024-01:20. Raportohet se pas një mosmarrëveshje ka ardhur deri te të shtënat ma armë zjarri në mes disa personave. Lidhur me rastin, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar, ndërsa janë konfiskuar një pistoletë me 9 fishkë, 5 gëzhoja dhe dy vetura. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Policia e Kosovës./Insajderi

Nga Rubrika