Takohen Qalaj dhe Pula, flasin për trajtimin e rasteve penale kundër të drejtës së votimit

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Koordinatorja Kombëtare për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, diskutuan për trajtimin e rasteve penale që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtës së votimit

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, priti sot në një takim pune Koordinatoren Kombëtare për Zgjedhje, prokuroren nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.

Fillimisht, në këtë takim, Kryeprokurori i Shtetit, Agron Qalaj, vlerësoi lart punën e Koordinatores Kombëtare për Zgjedhje, Laura Pula, si dhe angazhimin e të gjithë prokurorëve dhe zyrtarëve të sistemit prokurorial, të cilët me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim të lartë kanë mbikëqyrur procesin zgjedhor në mbarë vendin.

U.D. Kryeprokurori Qalaj theksoi se toleranca zero ndaj çdo përpjekjeje për cenimin e vullnetit të qytetarëve dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo dyshimi për parregullsi kanë dëshmuar vendosmërinë e Prokurorit të Shtetit për të mbrojtur ligjshmërinë, integritetin e zgjedhjeve dhe të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të votuar lirshëm.

Nga ana tjetër, Koordinatorja Kombëtare për Zgjedhje, prokurorja znj. Laura Pula, duke e falënderuar U.D. Kryeprokurorin Qalaj për mbështetjen e tij, e informoi se gjatë ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe, pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm shtatëmbëdhjetë prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtës së votimit.

Nga të gjitha këto raste, po atë ditë janë ndaluar pesë persona, ndërsa dymbëdhjetë persona janë liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, prokurorja Pula informoi se është duke monitoruar trajtimin e këtyre rasteve nëpër prokuroritë themelore dhe se, deri më tani të gjitha rastet janë duke vazhduar në procedurë të rregullt.

Në përfundim të takimit, U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe Koordinatorja Kombëtare për Zgjedhje ritheksuan përkushtimin e Prokurorit të Shtetit për trajtimin me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin të çdo rasti që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Ata vlerësuan bashkëpunimin dhe angazhimin e prokurorëve në të gjitha nivelet, duke theksuar se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve dhe e të drejtës së qytetarëve për të votuar lirshëm mbetet prioritet i vazhdueshëm i sistemit prokurorial. /Telegrafi/

Nga Rubrika