Temperaturat e larta kanë përfshirë tash e disa ditë vendin tonë, ndërsa për shumë qytetarë Pishina e Gërmisë mbetet destinacioni i preferuar për të gjetur freski në këto ditë të nxehta verore.
Nga ora 10:00 e deri në ora 18:00, Pishina e Gërmisë hap dyert për të gjithë vizitorët, gjersa çmimi për hyrje për fëmijë është 2 euro, ndërsa për të rritur 4 euro.
Koordinatori i Pishinës së Gërmisë, Vullnet Mushica në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se brenda ditës pishinën e frekuentojnë rreth 400 persona, ndërsa fundjavës kanë më shumë vizitorë.
“Mesatarja e vizitorëve brenda ditës është 300-400, përveç fundjavës që kemi pasur mbi 1500 mijë vizitorë.
Vizitorët në përgjithësi janë të kënaqur me të gjitha shërbimet që janë rritur këtë vit”.
Sa i përket pastërtisë së ujit, ai tha se uji është i pastër, por që për shkak që furnizohen me burime natyrore po krijohen alga.
“Kemi pasur disa ankesave lidhur me ujin, pas disa foto dhe videove që janë bërë virale, për shkak të algave që krijohen, për shkak që ne furnizohemi me burime natyrore.
Për atë arsye ato krijohen dhe po mendojnë që uji është i papastër, mirëpo uji është i pastër dhe ato janë vetëm alga”, u shpreh ai.
Lidhur me sigurinë që kanë pushuesit në këtë pishinë, Mushica bëri të ditur se kanë 12 shpëtimtarë, dhe se pa qenë ata prezent nuk hapet pishina.
“Çdo ditë janë nga 12 shpëtimtarë, ata nisin punës prej orës 10:00 deri në ora 18:00, po ashtu është urgjenca prej tre pjesëtarëve, dhe nuk e hapim pishinën pa qenë ata”, shtoi ai.
Mushica foli edhe për çmimet, ku siç tha ai hyrja për fëmijë është 2 euro.
“Hyrja për fëmijë është 2 euro, për të rritur 4 euro.
Çadrat janë gratis pa ulëse, ndërsa ato me shtretër 4 euro, dhe ato me perde 6 euro”.
Gjithashtu, ai tregoi se në Pishinën e Gërmisë është edhe shkolla e notit.
“Është edhe shkolla e notit, prej të hënës deri të shtunën, më instruktore tonën, ka shumë interesim, është mbush numri i nxënësve”.
Mushica ftoj qytetarët të vizitojnë pishinën e Gërmisë, pasi siç tha ai kushtet janë më të mira se vitet e kaluara.
“Përveç pishinës kemi edhe fushën e basketbollit, futbollit po ashtu dhe fushën e tenisit që është gratis deri në ora 15:00”.
Mushica gjithashtu tregoi se kanë pasur edhe disa testime të ujit që ka bërë KFOR-i.
“Kemi pasur testime nga KFOR-i që i kanë pasur mjetet më të sofistikuara dhe kemi dal shumë mirë me ujë, ku tash i kemi edhe si mysafirë çdo ditë”.
I pyetur se a është ndonjë kategori e liruar nga pagesa, Mushica tha se nuk kanë ndonjë kategori, por që qytetarët që kanë nevojë mund të bëjnë kërkesë në zyrën e tyre për lirim nga pagesa.
“Ne çdo ditë kemi familje që i lirojmë prej pagesës, kemi filluar edhe me ushqim për një familje, me shtretër e të gjitha.
Duhet bërë kërkesat në zyrat tona pastaj lirohen nga pagesat”, u shpreh ai.
Në anën tjetër, zhytësi kryesor në Pishinën e Gërmisë, Shefqet Hasani bëri të ditur se gjatë gjithë kohës janë nën vëzhgim të vizitorëve.
Hasani për Telegrafin tha se numri i vizitorëve është rritur edhe më shumë gjatë këtyre ditëve, ndërsa për ujin, ai sqaroi se është i pastër.
“Gjendja është shumë e mirë, tash kanë ardh dhe mërgimtarët kështu që është rrit numri i vizitorëve.
Gjendja në pishinë është e mirë, uji është mirë, po paraqiten disa alga, por uji pastrohet rregullisht, nuk ka ndonjë rrezik për shëndetin.
Ne, duhet të jemi në nivelin më të mirë për reagim nëse paraqitet rreziku, ku kërkohet ndihma ne jemi të përgatitur për intervenim”, theksoi ai.
Ai potencoi se ekipi i tij përbëhet nga 12 zhytës, të cilët janë në gjendje të veprojnë në çdo moment.
“Jemi në vëzhgim, në çdo lëvizje për reagim. Ka vizitorë të kujdesshëm, por disa duhet të rritin kujdesin”.
Hasani bëri apel që vizitorët të aplikojnë disa rregulla, para se të fillojnë notin.
“Vizitorët kur vijnë këtu duhet t’i aplikojnë disa rregulla, P.sh kur vijnë me temperaturë të lartë duhet të ndalen pak të qetësohen, mos të hyjnë menjëherë në ujë.
Para se të hyjnë në not, duhet të bëjnë tush, me rregullu sistemin, temperaturën trupore”.
Por, në cilat rastet kërkohet më shumë intervenimi i zhytësit?
“Raste kemi te të gjitha kategoritë, edhe tek të rriturit po ka raste shpesh.
Këtë vit kemi raste më shumë, disa nuk po e njohin natyrën e ujit, sepse noti kërkon përgatitje më të mirë teknike, dhe psikofizike.
Këshilla ime është kur të vijnë të jenë të kujdesshëm, ata që vijnë me familje të vëzhgojnë fëmijët e tyre dhe t’i aplikojnë rregullat që janë, në mënyre që mos të prishet rendi me gjëra të pahijshme dhe të bëjnë not pasi është shumë i shëndetshëm”.
Pishina e Gërmisë është hapur më 29 qershor, ndërkaq Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperatura të larta parashihet të ketë gjatë gjithë muajit korrik. /Telegrafi/