Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka shprehur një zhgënjim të thellë pas tërheqjes së Prof. Dr. Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës, një zhvillim që ai e sheh si një goditje për të ardhmen e vendit.
Në një postim të tij në Facebook, Bajraktari e ka cilësuar këtë situatë si “lajm të keq për popullin e Kosovës”, duke e kritikuar ashpër klasën politike për dështimin e saj në zgjidhjen e bllokadës aktuale.
“Tërheqja e Prof. Dr. Bekim Sejdiut më ka mërzitur thellësisht. Ky është një lajm i keq për popullin e Kosovës, i cili priste një zgjidhje dhe jo lojëra politike”, ka theksuar ai në postimin e tij.
Bajraktari ka shprehur shqetësimin se Kosova ka humbur mundësinë për të pasur një president të kualifikuar, i cili do të mund të zgjidhte krizën politike dhe të ndihmonte në krijimin e institucioneve funksionale.
“Fatkeqësisht, deputetët dështuan të kryejnë detyrat për të cilat janë zgjedhur. Ata nuk e vendosën Kosovën në prioritet, por vazhduan me kalkulime politike”, ka deklaruar ai, duke shprehur një ndjenjë të thellë frustrimi.
Ai gjithashtu ka theksuar se komuniteti shqiptaro-amerikan dhe miqtë e Kosovës në Washington prisnin që ky proces të sillte një zgjidhje për vendin, duke shpresuar për një të ardhme më të ndritur.
“Nuk e di se si do t’ia bëjnë politikanët tanë për ta nxjerrë vendin nga ky lëmsh ku e kanë futur. Është për të ardhur keq”, ka shkruar ai, duke shprehur shqetësim për situatën aktuale.
Në përfundim, Bajraktari ka kritikuar ashpër klasën politike për dëmtimin e të ardhmes së Kosovës, duke theksuar se një qasje e tillë nuk e nderon sakrificën e popullit dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe miqve ndërkombëtarë. “Kështu po dëmtohet seriozisht e ardhmja e Kosovës”, ka përfunduar ai, duke e mbyllur postimin me urimin: “Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar”.