Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Klinës me vdekjen e 43-vjeçares Albona Morina, e cila humbi jetën pas një përkeqësimi të papritur shëndetësor gjatë trajtimit mjekësor.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot në orën 16:00, në varrezat e lagjes Muhaxheri në fshatin Rixhevë, ku familjarët dhe miqtë do t’i japin lamtumirën e fundit.
Ngjarja tragjike ka filluar rreth orës 13:00, kur Albona ka kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë për një infeksion në hundë. Bashkëshorti i saj, I.M., ka qenë i pranishëm në momentin e fillimit të trajtimit.
Pas lënies së gruas për kontroll, ai është larguar për të kryer një pagesë, por kur është kthyer, ka gjetur një situatë alarmante: gjendja e saj ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe stafi mjekësor po e dërgonte me urgjencë drejt Spitalit të Përgjithshëm Rajonal në Pejë.
Albona vuante gjithashtu nga astma, një faktor që mund të ketë ndikuar në reagimin e saj ndaj trajtimit. Sipas QKMF-së, ajo kishte pësuar një reaksion të rëndë alergjik menjëherë pas fillimit të infuzionit.
Gjatë rrugës drejt Pejës, stafi mjekësor ka kryer reanimim kardiopulmonar, por përpjekjet për ta shpëtuar atë kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ngjarje ka lënë shumë pyetje të hapura për familjen dhe komunitetin.
Një çështje e rëndësishme që po hetohet është transporti i pacientes. Mësohet se stafi i QKMF-së kishte kërkuar ndihmën e Policisë për të hapur rrugën, pasi autoambulanca nuk kishte funksionale dritat sinjalizuese emergjente.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, Mirsad Kelmendi, ka konfirmuar se ky aspekt është duke u verifikuar dhe rasti ka kaluar në hetime rajonale. Policia ka sekuestruar dosjen e trajtimit mjekësor dhe ka intervistuar stafin shëndetësor.
Trupi i pajetë i 43-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, para se t’i dorëzohej familjes për ceremoninë e varrimit.