I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Misione të Veçanta, Richard Grenell, ka komentuar vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Hagë, ku ai u takua me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Grenell ka vlerësuar ashpërsinë e Ramës ndaj çështjes ligjore të prokurorit amerikan Jack Smith, duke deklaruar se Rama i ka turpëruar europianët për lejimin e vazhdimit të kësaj “padrejtësie”.
“Aleati i NATO-s dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e kritikon ashpër çështjen ligjore të Jack Smith kundër ish-presidentit Thaçi në Hagë dhe i turpëron europianët për lejimin e vazhdimit të kësaj padrejtësie. Jack Smith është një turp. Rama ka të drejtë”, shkruan Grenell.
Ndërkohë, Rama vetë përshkroi vizitën e tij në Hagë si një përballje me një “teatër turpi të drejtësisë ndërkombëtare” ndaj Thaçit, duke e cilësuar procesin si të pabazuar dhe të motivuar politikisht.
Kryeministri shqiptar u shpreh se Thaçi është në gjendje të mirë, megjithë kufizimet që i janë vendosur të drejtave themelore.
Rama theksoi se padrejtësia ndaj Thaçit është “ulëritëse” dhe ndodhet në zemër të Europës demokratike, duke kritikuar rolin e shteteve europiane dhe të Shteteve të Bashkuara në financimin e procesit.
Ai gjithashtu bëri thirrje për respektimin e lirisë dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.