Ish-futbollisti i njohur, Liridon Leci, ka qenë mysafiri i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” në Telegrafi.
Gjatë karrierës së tij si futbollist, Leci ka veshur fanellën e disa klubeve të njohura kosovare, përfshirë Hajvalinë, Prishtinën, Dritën dhe Llapin. Çdo ekip, për të, ka lënë gjurmë të veçanta, por Drita ka pasur një vend të veçantë në zemrën e tij.
Ai ka ndarë kujtime magjike nga periudha e tij si pjesë e Dritës, duke theksuar trofetë e fituara dhe dashurinë e veçantë që ndjen për këtë klub. “Unë në dy ndeshjet e para kur kam shkuar tek Drita, nuk kemi pas sukses dhe u bë një mbledhje aty, por jo nga kryesia. Një ndihmës-trajner na tha se ju duhet ta doni klubin, a e dini ku keni ardhur,” ka thënë Leci.
“Si më i vjetri, u ngrita dhe thashë: ‘Unë që një javë kam ardhur tek Drita, nuk mund ta dua Dritën, por e dua punën të cilën e bëj; nuk mund ta dua fanellën sepse brenda një jave nuk mund ta duash’. Pas kësaj, ndërrimin e trajnerit, Bekim Isufi, ka arritur të na udhëheqë në një sezon fantastik, ku nga 33-34 ndeshje, nuk kishte asnjë humbje. Të gjithë e kanë parë që ato vit Drita ka qenë dominuese; me lojën dhe rezultatet e saj, Drita e meritoi titullin, sepse sot nuk po shoh ndonjë skuadër në Superligë që të rivalizojë me të.”
Shiko Videon:
“Më e veçanta është lidhja që kam pasur dhe kam me ‘Intelektualët’ sepse unë e di që respektin ia kanë dhuruar gjithkujt, por unë sot kur shkoj në Gjilan shoh shumë fanella të mia nëpër lokale të ndryshme dhe kjo më bën të ndihem mirë,” shtoi Leci, duke theksuar njohuritë dhe respektin që ka fituar në qytet. Dashuria e tij për Dritën është një reflektim i thellë i përkushtimit dhe pasionit që ai ka për futbollin dhe këto kujtime do të mbeten gjithmonë të gjalla në zemrën e tij.
Për të gjitha këto dhe shumë të pathëna të tjera, Leci i ka shpalosur të gjitha në podcastin “Arena e Yjeve” në Telegrafi.
Këtë podcast mund ta ndiqni në TV Dukagjini çdo të shtunë nga ora 18:10.