E enjte, 14 Nëntor, 2024
3.1 C
Pristina

Arben Gashi: Shkeljet kushtetuese në kuvend, votohet jashtë rendit të ditës

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se dje në Kuvendin e Kosovës është shkelur rëndë Kushtetuta.

Ai shprehu shqetësimin e tij duke deklaruar se, “në kundërshtim me rregullat e përcaktuara dhe me Kushtetutën e Kosovës, Kuvendi ka votuar për një çështje që nuk ishte përfshirë në rendin e ditës”.

Gashi i bëri këto deklarata pas seancës së fundit të Kuvendit, duke theksuar se ka pasur një shkelje të rëndë kushtetuese dhe procedurale. Ai e sqaroi se rregullorja e Kuvendit e përcakton qartë se çdo ndryshim në rendin e ditës duhet të ndjekë një procedurë të caktuar në nenin 53 të saj.

Ai përmendi dy kritere thelbësore për ndryshimin e rendit të ditës: “1. Propozimi dhe votimi për heqjen ose plotësimin e çështjeve në rendin e ditës duhet të bëhet nga kryetarët e grupeve parlamentare ose nga së paku gjashtë deputetë; 2. Se duhet të ketë mbështetje nga 2/3 e deputetëve të pranishëm për shtimin e një çështjeje të re”. Këto rregulla, sipas Gashit, janë themelore për ruajtjen e rendit dhe ligjshmërisë në Kuvendin e Kosovës.

“Në këtë rast, Kuvendi u thirr për të diskutuar vetëm një çështje të rendit të ditës: shqyrtimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025,” paralajmëroi Gashi. Ai nënvizoi se ndërrimi i rendit të ditës nuk u realizua sipas rregullores dhe nuk pati votimin e kërkuar nga deputetët për të miratuar këtë ndryshim.

“Ky veprim, vijoi ai, është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, parime këto që garantohen nga Kushtetuta e Kosovës. Çdo veprim i Kuvendit që nuk respekton rregulloren dhe procedurat zyrtare shkel parimet e transparencës dhe sigurisë juridike për deputetët dhe qytetarët”.

Gashi e theksoi se ky precedent rrezikon integritetin e procesit vendimmarrës në Kuvend dhe dobëson besimin e publikut në institucionet demokratike të vendit. “Transparenca dhe ligjshmëria janë thelbësore për funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike”, tha ai.

Gashi gjithashtu theksoi rëndësinë e ndjekjes së ligjit dhe respektimin e procedurave, të cilat janë themelore për ruajtjen e një sistemi të drejtë dhe funksional në Republikën e Kosovës. “Nëse këto parime nuk respektohen, atëherë rrezikohet stabiliteti i institucioneve”.

Ai përfundoi duke thënë se LDK do ta ndjekë këtë çështje me seriozitet. “Ne mbetemi të përkushtuar për të kërkuar që çdo vendim në Kuvendin e Kosovës të respektojë Kushtetutën dhe rregulloren në fuqi”, përfundoi Gashi.

Nga Rubrika