E mërkurë, 20 Nëntor, 2024
13.3 C
Pristina

Mickoski: Gjuha shqipe po forcohet në Maqedoninë e Veriut, nuk eshtë nën rrezik

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

“Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk është kundër. Kjo është një temë artificiale. Është një temë që po mundohen ta imponojnë”.

Kështu deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke folur për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe për ligjin për gjuhët. Ai theksoi se gjuha shqipe nuk po rrezikohet në këtë shtet.

Mickoski shprehu shqetësimin në lidhje me mënyrat e paraqitjes së temave të lidhura me gjuhën shqipe, duke theksuar se ka një propagandë të vazhdueshme që përpiqet ta paraqesë këtë çështje si të ndjeshme, kur në fakt, situata është krejtësisht ndryshe. Ai theksoi se, nëse vërtet do të kishte një problem, qeveria do të merrte masa për ta adresuar atë, por sipas tij, situata aktuale është stabilizuar dhe përmirësuar.

“Më besoni, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim, askush nuk është kundër gjuhës shqipe, përkundrazi, unë jam kryetar i Qeverisë dhe jam pro përdorimit të saj. Kjo është një temë artificiale e cila po përdoret për qëllime politike”, tha ai gjatë një intervistë për “Prime” në RTK. Këto deklarata vijnë në një kohë kur tema e gjuhës shqipe është bërë një objekt polemik në debatin publik, shpesh duke u manipuluar nga grupe të caktuara politike.

Mickoski gjithashtu përmendi se ligji për gjuhët ka qenë në pritje të zgjidhjes për një kohë të gjatë, duke bërë thirrje për një proces më të qartë dhe më transparent lidhur me trajtimin e tij. Ai tha se përvojat e kaluara kanë sugjeruar se ka pasur përpjekje për të mbajtur këtë ligj në errësirë.

“Epo, pikërisht kjo është pyetja, se si këta të njejtit gjyqtarë kushtetues, të votuar nga shumica e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, i kanë mbajtur të gjithë këto në sirtar për 5 vjet dhe tani papritmas kur erdhi një qeveri e re, një qeveri pro-evropiane, një qeveri reformatore, e nxorrën në sipërfaqe”, tha ai, duke theksuar se ky ndryshim është një reflektim i nevojës për t’u përballur me të kaluarën dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Mickoski gjithashtu e përmendi një rast konkret, ku theksoi se festivali i “Vallja e Shotës” do të zhvillohet në Shkup, duke treguar se diversiteti kulturor është një pasuri që duhet promovuar dhe nuk duhet parë si një kërcënim. “Në Shkup është luajtur edhe Shota, edhe Kolo sërbe, është luajtur edhe Qyqeku turk dhe vallja e vështirë maqedonase. Ne jemi të bashkuar në diversitetin, dhe do të vazhdojmë të luajmë”, shpjegoi ai.

I pyetur për letrën e Ali Ahmetit që i dërgoi atij rreth heqjes së mekanizmave mbrojtës për komunitetet dhe ndryshimet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Mickoski tha se Ahmeti e kërkoi atë që të ndikojë te gjyqtarët kushtetues që të ndalonin propozimin. “Thelbi i letrës së tij është: po të drejtohem Hristijan t’u thuash gjykatësve kushtetues të mos e votojnë këtë që është në rend dite në Gjykatën kushtetuese”, tha Mickoski, duke argumentuar se këto kërkesa nuk e përfaqësojnë interesin e të gjithë qytetarëve, por janë më shumë në përputhje me agjendat politike të caktuara.

Mickoski është optimist se legjislacioni për gjuhët do të trajtohet me seriozitetin e duhur, dhe se çdo zgjidhje do të ketë për qëllim të promovojë harmoninë dhe respektin ndërkulturor. “Derisa të jem unë kryetar i Qeverisë, do të angazhohem për një diskurs konstruktiv lidhur me diversitetin dhe për inkurajimin e bashkëpunimit mes të gjithë grupeve etnike në vend”, përfundoi ai.

Nga Rubrika