Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka dalë me sukses nga spitali në Nju Jork, ku ka përfunduar trajtimin për një situatë psikologjike të rënduar.
Laudim vjen nga biznesmeni shqiptar, Elton Ilirjani, i cili ndau lajmin e shkëlqyer në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, duke postuar fotografi dhe video të reja të këngëtares. Në pamjen e re, Simaku duket e transformuar, me flokë të reja dhe një buzëqeshje që tregon qetësi pas një periudhe të vështirë.
“Surprizë, ia dolëm,” shkruan Ilirjani, duke shoqëruar postimin me një video të Parashqevi Simakut që shfaqet e lumtur dhe optimiste. Kjo kthesë pozitive shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj për t’u rikuperuar nga vështirësitë që ka hasur.
Megjithatë, Ilirjani theksoi se dalja nga spitali nuk do të thotë se të gjitha problemet janë zgjidhur. Ai ka kërkuar mbështetje për përkujdesjen ndaj Parashqevi Simakut pas përfundimit të tretmanit, duke theksuar nevojën për ndihmë në akomodimin e saj në shtëpinë e saj të re.
“Rrugëtimi i saj do të rinisë, do të shkoj t’ia jap lajmin e mirë që ajo mezi po e pret. Do t’i çoj dhe byrek me spinaq, që ajo e ka shumë qejf. Kjo s’do të thotë se çdo gjë ka kaluar. Unë e di që kur ajo të dalë, do të vazhdojë me dëshirat e saj, por ne do të jemi aty për ta ndihmuar,” thotë Ilirjani.
Ai gjithashtu bën thirrje për ndihmën nga komuniteti, duke ftuar gratë shqiptare që kanë kohë të lirë për të kontribuar, qoftë në akomodimin e saj, qoftë në qëndrim pranë saj gjatë ditëve dhe natëve pas daljes nga spitali.
“Ky ka qenë një muaj me shumë dhimbje, por po ia dalim. U bëj thirrje të gjitha grave shqiptare, ato që kanë kohë të lirë, që t’u vijmë në ndihmë,” thekson ai. Ilirjani ndan ndjenjat e tij për periudhën e vështirë që kanë kaluar së bashku, duke u shprehur se ka qenë një përvojë e bukur, por gjithashtu e lodhshme.
Njëkohësisht, Ilirjani vuri në dukje se mbështetje dhe ndihmë për Parashqevi Simakun ka ardhur nga shumë njerëz, megjithatë ai shprehu zhgënjimin për faktin se kolegët e saj artistikë kanë kontribuar më pak. Ai shpreson që Simaku do të rikthehet në radhët e parë të artit shqiptar dhe se, përpos kthimit të saj, ajo do të marrë mbështetje më të madhe nga komuniteti.
Pavarësisht se u detyrua të anulojë pjesëmarrjen në Javën e Modës në Kore, Ilirjani shpreson që Simaku do të jetë pranë tij këtë herë në Nju Jork, kur ai të dalë në pasarelë. Kjo dëshiron të jetë një mundësi për të përhapur një mesazh shprese dhe mbështetjeje për ata që përballen me vështirësi në jetën e tyre.