Dani Olmo po përjeton një nga momentet më të shkëlqyera të karrierës së tij, pasi është shpallur kampion i Europës me kombëtaren spanjolle. Në një intervistë ekskluzive për “GQ HYPE”, mesfushori i njohur flet për dëshirën e tij për të luajtur te Barcelona, si dhe për presionin e Kroacisë për ta natyralizuar, për të pasur mundësinë të luajë me ta.
Olmo ka pasur një rrugë të veçantë në karrierën e tij, duke filluar me eksperiencën e tij në Kroaci me Dinamo Zagreb. Ai ndan kujtime të rëndësishme nga koha atje, duke thënë: “Kur Dinamo trokiti në derën time, unë isha në prag të kalimit te të rinjtë. Logjikisht, do të duhej të vazhdoja ose të transferohesha në Angli, por për mua ëndrra ishte të luaja me Barcelonën. Dinamo pati besim tek unë dhe e kuptova që ishte gjëja më e mirë për karrierën time. Besoj se gjithçka ndodhi në kohën e duhur”.
Dani vazhdoi të flasë për evoluimin e tij si lojtar, duke theksuar: “Pas Europianit U-21 isha i bindur se isha gati për hapin e madh, por në fund nuk ndodhi. Qëndrova te Dinamo duke luajtur në Champions League dhe më pas në dimër u transferova te Leipzig. Nuk e di në çfarë kushtesh do të isha gjendur nëse do të largohesha më herët. Besoj se gjithçka ndodhi në momentin e duhur, si për kalimin tim në Gjermani, ashtu edhe për ardhjen time te Barça”.
Rreth transferimit të tij te Barcelona, ai tha: “Më telefonoi babai dhe më tha se më donin. E dija që ishin të interesuar, por nuk i kushtova shumë rëndësi, sepse çdo verë dilte diçka e tillë. Këtë herë e ndjeva ndryshe. Kishte edhe klube të tjera të interesuara, por për mua ishte e qartë zgjedhja. Barça është shtëpia ime dhe gjithmonë kam dashur të luaj këtu. Të jem aty ku jam sot ishte një ëndërr për mua”.
Në lidhje me zgjedhjen e tij mes Kroacisë dhe Spanjës, Olmo thekson: “Unë jam spanjoll dhe gjithmonë kam ndier i tillë. Kroacia donte të më natyralizonte për Kupën e Botës në Rusi. E dija që Spanja do të më jepte mundësinë time. Kisha luajtur me U-21 dhe kjo ishte ëndrra ime. Kombëtarja nuk është diçka që mund ta ndryshosh për një Botëror”.
Në përgatitjet për fitimin e Europianit 2024, ai thekson: “Ishim një ekip i bashkuar. Nuk kishte grupe të veçanta, ishim të gjithë së bashku. Pati diskutime ku morëm pjesë të gjithë”. Kjo ndihmoi ekipin të krijojë një atmosferë pozitive dhe bashkëpunuese, e cila ishte thelbësore për suksesin e tyre në kompeticion.
Kur flitet për lidhjen e tij me Pedrin në fushë, Olmo shprehet: “Është shumë e lehtë të luash me të, ta bën gjithçka më të thjeshtë. Gjithmonë mendoj: Nëse kam ndonjë problem, ia pasoj topin atij. Dhe ai më thotë: Unë ta kthej ty, pastaj bëj ti pjesën tjetër. Kemi një lidhje në fushë që funksionon natyrshëm”. Kjo harmonizim ka ndihmuar ekipin të luajë më mirë dhe t’i përballojë sfidat e ndryshme në kampionat.
Duke folur për Lamine Yamal, ai thotë: “Të gjithë jemi të mahnitur me të. Është unik. Duhet të vazhdojë kështu siç po bën deri tani. Ende është shumë i ri dhe ka shumë për të arritur, më tepër se çfarë ka bërë deri tani”. Të rinjtë si Yamal janë një pjesë e rëndësishme e të ardhmes së Barcelonës dhe mund të luajnë një rol kyç në suksesin e klubit në vitet në vazhdim.