Osmani: Ankesa e VV-së nuk e pengon shpërbërjen e Kuvendit pa masë pezulluese nga Kushtetuesja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ankesa e dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk paraqet pengesë për shpërbërjen e Kuvendit, për sa kohë që gjykata nuk ka marrë vendim për një masë pezulluese.

Osmani theksoi se edhe në rast se dekreti i saj përfundon në Gjykatën Kushtetuese, ajo është e gatshme të përballet me procesin, duke shtuar se mosveprimi do të nënkuptonte shkelje të Kushtetutës.

“Ankesa e drejtuar në Gjykatë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje nuk paraqet pengesë që të shpërbëhet Kuvendi, për aq kohë sa gjykata nuk ka vendosur një masë pezulluese.

Edhe nëse dikush e dërgon këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese, unë do të përballem, sepse nëse nuk do ta bëja këtë do ta shkelja Kushtetutën, gjë që nuk e kam ndërmend ta bëj”, tha ajo.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit, duke kërkuar gjithashtu edhe vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e afateve kushtetuese deri në publikimin e aktgjykimit.

Nga Rubrika