Fenomeni i njohur si Doorway Effect po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e psikologëve, pasi shpjegon një situatë të zakonshme: momentin kur hyn në një dhomë dhe harron pse shkove aty.
Sipas ekspertëve, kjo nuk është domosdoshmërisht shenjë e problemeve me kujtesën, por një mënyrë se si funksionon truri ynë.
Ky efekt ndodh sepse truri e percepton kalimin nga një ambient në tjetrin si një “kapitull të ri”, duke “fshirë” informacionin afatshkurtër që lidhet me hapësirën e mëparshme. Si rezultat, mendimi që kishe para se të hyje në dhomë mund të humbasë përkohësisht.
Sipas psikologes Dr. Sanam Hafeez, njerëzit që përjetojnë shpesh këtë fenomen zakonisht kanë mendje shumë aktive. Ata priren të mendojnë shumë njëkohësisht, të planifikojnë vazhdimisht dhe të kalojnë shpejt nga një ide në tjetrën. Po ashtu, multitasking-u, stresi dhe mbingarkesa mendore ndikojnë drejtpërdrejt në këtë lloj harrese.
Interesant është fakti se ky fenomen lidhet shpesh edhe me kreativitetin. Personat kreativë kanë tendencë të shpërndajnë vëmendjen në disa drejtime, çka i bën më të prirur të harrojnë detaje të vogla si arsyeja pse hynë në një dhomë. Edhe një ritëm i shpejtë jetese dhe përqendrimi në mendime më të mëdha mund të ndikojë në këtë proces.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk ka arsye për shqetësim në shumicën e rasteve. Vetëm kur harresa bëhet e shpeshtë, përkeqësohet me kohën ose shoqërohet me konfuzion dhe vështirësi në kujtesën e përditshme, rekomandohet konsultimi me një specialist.