Ekskluzive | Ryshfet për patentë shoferë në Prishtinë – zbulohen emrat këta janë të arrestuarit

Një rast i rëndë korrupsioni është zbuluar në Prishtinë, ku katër persona janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Ngjarja ka ndodhur më 23 mars 2026, rreth orës 09:45, gjatë zhvillimit të testit teorik për patentë shoferi, ku pas aplikimit të masave të posaçme hetimore janë siguruar prova se të dyshuarit kanë pranuar ryshfet në vlerë prej 800 eurosh në këmbim të kalimit të testit për të paktën një kandidat.

Të arrestuar janë: Ismet Muhaxheri, Zukë Behrami, Agon Behrami dhe Vjollca Lajqi.

Sipas të dhënave nga hetimi, tre prej tyre janë pronarë dhe instruktorë të auto-shkollave “Anita” dhe “Instruktori”, ndërsa e dyshuara e katërt është ekzaminer në Qendrën e Testimit Teorik në Prishtinë, në kuadër të MMPHI-së.

Hetimet për këtë rast kishin nisur që në janar të vitit 2026, ndërsa përmes masave të fshehta hetimore është arritur të dokumentohen veprimet e kundërligjshme të të dyshuarve.

Gjatë operacionit të sotëm janë sekuestruar 800 euro (të përdorura për simulim të veprës penale), tre telefona celularë si dhe dokumentacioni i kandidatit, që do të shërbejë si provë në procedurë.

Të dyshuarit janë shoqëruar në hapësirat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Në kuadër të hetimeve është intervistuar edhe një dëshmitar, ndërsa rasti mbetet në zhvillim dhe nuk përjashtohet përfshirja e personave të tjerë./sinjali

Nga Rubrika