Osmani me video, thumbon Kurtin: Po, edhe në shoqatën e zjarrfikësve kam qenë

Ish-presidentja e vendit Vjosa Osmani u është përgjigjur kritikave për vizitat e saja të fundit nëpër komuna përmes një video të radhës.

Ajo i ka quajtur dezinformata deklaratat se ajo këtë nuk e ka bërë më herët por vetëm tash.

“Meqenëse ka njerëz brenda politikës që po ankohen se pse po i takoj qytetarët këto ditë, madje disa dezinformojnë se këtë nuk e kam bërë më herët, ja e vërteta. Gjatë pesë viteve mandate vazhdimisht kamë vizituar komunat kam takuar qytetarët dhe kam mbështetur grupet e margjinalizuara dhe kam qenë pranë njerëzve të vyer e të urtë të vendit tonë”, ka thënë Osmani.

Edhe në këtë video ajo është shfaqur me një fotografi të ish-presidentit Ibrahim Rugova në sfond.

Duke treguar për takimet që ka pasur me qytetarë dhe në institucione, ajo ka thumbuar pak edhe liderin e LVV-së, Albin Kurti për shoqatën e zjarrfikësve.

“Vizita në fshatra e lagje të ndryshme, në shkolla e kopshte në spitale në institucione që e mbajnë këtë shtet të fortë dhe po edhe në shoqatën e zjarrfikësve”, ka thënë Osmani.

Përmendja e shoqatës së zjarrfikëse është bërë për shkak se Kurti një çështje të tillë e kishte përmendur gjatë takimeve me liderët e partive politike për zgjedhjen e presidenti.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se gjatë një takimi Kurti i kishte thënë se Kosovës i duhet një president që merret me shoqatën e zjarrfikësve. /Telegrafi/

Nga Rubrika