Kurti për incidentin në Skenderaj: Nuk e di çka ka ndodh pas mesnate por reagimi i policisë ishte i vonuar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se reagimi i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ka qenë i vonuar pas incidentit në Skenderaj, ku u përfshi zëvendësministri në Ministrinë e Financave dhe kryetari i VV-së në Skenderaj, Hysen Mehani.

I pyetur për dërgimin e njësive policore në Skenderaj pas përleshjes mes kryetarit të kësaj komune Sami Lushtakut dhe Hysen Mehanit, Kurti tha se askush nuk mund ta sfidojë shtetin dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

“Në republikën e Kosovës nuk ka forcë, nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup që sfidon suksesin e shtetit. E shteti është drejtësia e ligjeve. Ligji i drejtë i Republikës na bën bashkë si shoqëri sepse na barazon para tij. E jo si dikur që na ndante në të pambrojtur e të paprekshëm”, tha ai.

Kurti tha se në lokalin ku ndodhi incidenti ka pasur kamera dhe dëshmitarë të shumtë, derisa shtoi se reagimi i policisë dhe prokurorisë është dashur të jetë më i shpejtë.

“Në lokalin në Skenderaj në të cilin është rrahur e përgjakur zëvendësministri në Ministrinë e Financave Hysen Mehmeti. Njëkohësisht edhe kryetari i qendrës së Vetëvendosjes atje.

Njëkohësisht edhe kandidat për deputet për legjislaturën e 19-të. Ka kamera dhe ka shumë dëshmitarë. Me ç’mora vesh dy veta janë arrestuar. Por, për përshtypjen time reagimi edhe i policisë edhe i prokurorisë ka qenë i vonuar. Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pastaj në orët e pasmesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë shumë më i shpejtë”, tha ai.

Ai krahasoi rastin me dënimet që, sipas tij, janë shqiptuar më herët ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes për postime në rrjete sociale.

“Ju e dini që aktivistët e Vetëvendosjes për statuse në Facebook janë dënuar me nga një vit e gjysmë burg. Ta shohim tash, prokuroria për ata që marrin me grusht edhe përgjakin zëvendësministra, çfarë dënimi do të kërkojë, dhe çfarë dënimi do të japë gjyqësori”, tha ai.

Nga Rubrika