Këngëtarja e njohur kosovare njëherësh kryetarja e shoqatës “Lobimi për autizëm”, Arta Bajrami, në një prononcim për Indeksonline ka folur për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se vota mbetet një nga mënyrat kryesore për të kërkuar përgjegjësi dhe ndryshim.
“Besoj se vota është e rëndësishme dhe secili qytetar duhet ta përdorë të drejtën e tij”, tha ajo kur u pyet nëse do të dalë për të votuar.
Sipas Bajramit, pjesëmarrja në votime është e domosdoshme, pasi qytetarët përmes votës mund të kërkojnë më shumë fokus te problemet reale të shoqërisë.
Ajo vuri theks të veçantë te sfidat me të cilat përballen familjet e fëmijëve me nevoja të veçanta, sidomos ato me autizëm.
“Si kryetare e shoqatës ‘Lobimi për autizëm’, shpresoj që çdo qeveri dhe çdo institucion ta trajtojë me prioritet çështjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, sidomos fëmijëve me autizëm. Ne kemi nevojë për mbështetje konkrete, për shërbime më të qasshme dhe për politika që e ndihmojnë realisht familjen”, deklaroi ajo.
Bajrami tregoi se një nga synimet kryesore të shoqatës është hapja e një qendre multidisiplinare në Prishtinë, ku fëmijët do të kenë qasje në shërbime si art, sport, logopedi dhe vlerësime të hershme nga staf profesional.
“Shpresojmë shumë në mbështetjen e institucioneve dhe të Komunës së Prishtinës për ta bërë këtë projekt realitet”, u shpreh ajo.
Duke folur për motivimin e qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje, Bajrami tha se njerëzit angazhohen më shumë kur ndihen të dëgjuar dhe kur shohin përkushtim konkret ndaj problemeve të tyre të përditshme.
Ajo shtoi se të rinjtë vazhdojnë të kenë interes për proceset zgjedhore, por shpeshherë kanë humbur besimin tek institucionet.
“Të rinjtë kanë interes, por institucionet duhet të krijojnë më shumë besim përmes veprave konkrete”, tha Bajrami.
Në fund, ajo pati edhe një mesazh për qytetarët që po hezitojnë të votojnë më 7 qershor.
“Mos qëndroni indiferentë. Nëse duam ndryshim, duhet të marrim pjesë dhe të kërkojmë më shumë përgjegjësi dhe më shumë përkushtim ndaj qytetarëve. Shumë familje po e kanë të vështirë t’i përballojnë kostot e terapive dhe shërbimeve, prandaj nevojitet urgjentisht më shumë mbështetje dhe qasje më e përballueshme për familjet”, përfundoi ajo./Indeksonline/
