Kylie Minogue ka zbuluar për herë të parë pse vendosi ta mbante sekret diagnozën e saj të dytë me kancer, në dokumentarin e ri të Netflix “Kylie”.
Këngëtarja australiane, 57 vjeç, rrëfen në serinë me tre pjesë se u ndje “e shkëputur nga trupi i saj” kur mediat në mbarë botën raportuan diagnozën e parë me kancer gjiri në vitin 2005.
Megjithatë, kur sëmundja iu rikthye në vitin 2021, ajo vendosi të mos e bëjë publike.
“Diagnoza ime e dytë me kancer ishte në fillim të vitit 2021. Këtë herë arrita ta mbaja për vete… jo si herën e parë,” shprehet Minogue në dokumentar.
Artistja tregoi se kishte frikë nga ajo që e priste dhe se në atë periudhë ndihej emocionalisht shumë e dobët.
“Nuk ndihesha e detyruar t’ia tregoja botës dhe, sinqerisht, nuk mundesha në atë moment sepse isha thjesht një hije e vetes,” tha ajo.
Kylie rrëfen se kishte menduar disa herë ta ndante lajmin me publikun, sidomos gjatë rikthimit të saj të suksesshëm në vitin 2023 me hitin “Padam Padam”, por në fund zgjodhi të heshtë.
“Në çdo intervistë mendoja: tani është momenti ta them, por sërish e mbaja për vete,” tregoi këngëtarja.
Ajo shtoi se muzika e ndihmoi të përballonte periudhën e vështirë dhe se pasioni për të është më i fortë se kurrë.
Kënga “Story”, pjesë e albumit “Tension”, ishte mënyra e saj për të shprehur atë që po kalonte pa zbuluar drejtpërdrejt diagnozën. “Më duhej diçka që ta shënonte atë periudhë të jetës sime,” tha Minogue.
Dokumentari “Kylie” do të publikohet në Netflix më 20 maj.
