Aktori dhe këngëtari, Bes Kallaku, ka bërë një reagim mjaft të sinqertë në llogarinë e tij në Instagram, duke u kthyer përgjigje të gjithë atyre që e kanë kritikuar apo pyetur mbi rrethanat e pjesëmarrjes së tij në protestat e fundit qytetare.
Përmes një letre, Besi ka sqaruar pozicionin e tij dhe arsyet se pse ka zgjedhur të jetë në shesh krah njerëzve të thjeshtë.
Aktori ka nisur reagimin e tij duke cituar pyetjet skeptike që i janë bërë së fundmi: “Po ti pse del në protestë? Ti je mirë.”, duke shtuar se ka edhe nga ata që e akuzojnë se e bën këtë gjest thjesht për vëmendje apo për të marrë më shumë ndjekës në rrjetet sociale.
Besi i ka hedhur poshtë menjëherë këto aludime, duke theksuar se nuk ka nevojë për vëmendje të tillë pasi gëzon mbështetjen e 1.2 milion njerëzve që e kanë besuar dhe duartrokitur si në ditët e tij më të mira, ashtu edhe kur ka prekur fundin.
Më tej, ai ka sqaruar se motivi i tij i vetëm është lidhja e fortë me vendin dhe njerëzit e tij.
“Unë dal sepse jetoj në këtë vend. Dal sepse këtu jetojnë familjarët e mi, miqtë e mi, njerëzit e mi.
Dal sepse prej vitesh shoh të njëjtat plagë, të njëjtat probleme dhe të njëjtën lodhje në sytë e njerëzve”, shkruan aktori, duke bërë të qartë se nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj realitetit shqiptar.
Besi nuk ka ngurruar të prekë edhe marrëdhënien e tij me politikën, duke deklaruar prerazi se nuk i detyrohet asgjë asnjë pale politike. Përkundrazi, ai rrëfen se shoqërimi apo miqësia me njerëz të politikës i ka kushtuar shtrenjtë në jetë.
“Nuk kam perfituar kurre nga askush. Perfundrazi, kam paguar kosto nga te qenit mik i njerit apo i tjetrit ne politike. Kosto qe i mbaj ende mbi supe, si baltosja me e madhe qe mund t’i behet nje njeriu”, shprehet ai me nota zhgënjimi.
Në mbyllje të letrës së tij, Bes Kallaku ka theksuar se pikërisht statusi i tij si artist e detyron moralisht të mos heshtë përpara shqetësimeve qytetare (ku komentuesit në rrjetet e tij sociale specifikojnë ndjeshmërinë e madhe ndaj kauzave mjedisore si ajo për Zvërnecin dhe Nartën).
Ai e përfundon mesazhin e tij duke thënë se arti e ka mësuar të jetë pranë njerëzve që e bënë këtë që është sot, dhe se po të zgjidhte heshtjen, do të humbiste shumë më tepër nga vetvetja sesa çdo gjë që mund të fitonte nga konformizmi.
View this post on Instagram