Aktorja e njohur turke, Neslihan Atagül, po përgatitet të rikthehet në ekran pas një periudhe të gjatë shkëputjeje, duke ngjallur kështu kuriozitetin e fansave të saj.
Pas një pauze të domosdoshme për t’u kujdesur për djalin e saj, Aziz, ajo ka njoftuar se do të rikthehet në sheshxhirime për sezonin e ri televiziv. Projekti i saj i fundit para kësaj pauze ishte seriali “Gecenin Ucunda” (Në fund të natës), i cili e bëri atë një nga aktoret më të dashura për publikun.
Atagül, e cila ka një martesë të lumtur me aktorin Kadir Doğulu, solli në jetë djalin e saj më 6 mars 2025. Pas pothuajse tre vitesh larg kamerave, ajo shprehet e emocionuar për rikthimin e saj dhe për pritshmëritë e fansave.
Duke folur për planet e saj të reja, aktorja theksoi se i kishte munguar shumë atmosfera e sheshxhirimeve. Ajo konfirmoi se projektet janë duke u zhvilluar, duke thënë:
“Këtë sezon do të jem në ekran. Jam shumë e emocionuar. Aktualisht jemi në fazën e përgatitjeve. Partneri im në serial ende nuk është përzgjedhur, por unë jam gati. Duke qenë se çdo gjë është ende shumë e re, nuk mund të ndaj detaje më konkrete.”
Rikthimi në punë me një fëmijë të vogël kërkon një organizim të mirë, por Neslihan ka gjetur një zgjidhje. Ajo zbuloi se djali i saj, Aziz, do ta shoqërojë herë pas here në punë gjatë procesit të xhirimeve.
Aktorja shtoi me humor: “Edhe djali im do të vijë në sheshxhirim. Jemi gati për të jetuar në karavan!”. Megjithatë, emri i serialit dhe platforma ku do të transmetohet projekti i saj i ri mbeten ende një mister, që pritet të zbulohet në javët në vijim. /Prive By Liberta Spahiu