William Walker, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ka shprehur shqetësimin e tij për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, i cili dënoi katër ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burg. Ai e cilëson këtë moment si një krizë për Kosovën, Ballkanin dhe Evropën në tërësi.
Walker ka kritikuar ashpër procesin gjyqësor, duke e quajtur atë si një shembull të keqmenaxhimit të drejtësisë që ka karakterizuar këtë çështje që nga fillimi. Ai shpreh zhgënjimin e tij për Bashkimin Evropian, duke theksuar se është krijuar një qasje që barazon krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në një intervistë për A2 CNN, Walker ngriti një pyetje të rëndësishme: Pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është thirrur për të dëshmuar në Hagë? Kjo çështje ngre dyshime mbi drejtësinë e procesit.
“Jam shumë i mërzitur me BE-në, e cila për arsye politike ka dashur të krijojë një barazim për krimet e tmerrshme të kryera nga qeveria e Serbisë, përfshirë Vuçiqin”, tha Walker, duke shprehur shqetësimin e tij për këtë qasje.
Ai theksoi se është e paqartë pse Vuçiqi nuk është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorisë Speciale, duke shtuar: “Pse nuk është thirrur ai në Hagë për të dëshmuar? Nuk e kuptoj pse BE-ja ka formuar një trup gjykues për të akuzuar shqiptarët.”
Duke iu referuar veprimeve të Vuçiqit, Walker tha se presidenti serb vazhdon të kryejë ritet që i ka mësuar gjatë kohës kur ishte ministër i Informacionit në qeverinë e Slobodan Millosheviçit.
“Nëse kthehem te Vuçiqi, ai ende vepron si ministër i propagandës në kohën e Millosheviçit. Prandaj, jam shumë i zhgënjyer me BE-në për këtë qasje të paragjykuar, e cila ka shumë për të fajësuar për tmerret e kryera”, përfundoi Walker.