Andin Hoti i përgjigjet Daçiqit: Prizreni është Kosovë, drejtësia të pret

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar me forcë ndaj deklaratave provokuese të zëvendëskryeministrit serb në detyrë, Ivica Daçiq.

Ai ka shprehur pretendime territoriale mbi Kosovën, duke pohuar se “flamuri serb do të valojë në Prizren”.

Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka ndarë një fotografi te busti i babait të tij, Ukshin Hoti, dhe ka bërë thirrje për një vizitë të Daçiqit në Prizren, duke e ftuar atë të vijë së bashku me kriminelin Milan Radoiçiq.

“Daçiq, eja në Prizren! Të presim! Merre edhe Radoiçiqin me vete, se me ty e me disa si ti s’kemi përfunduar punë ende. Janë disa djem e vajza në Policinë e Republikës së Kosovës që ju presin. Prizreni është Kosovë. Kosova është Republikë,” shkruan Hoti.

Ministri thekson se ambiciet e Serbisë për pushtim janë të papranueshme dhe se masakrat dhe gjenocidi ndaj popullit shqiptar përfunduan në vitin 1999, falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes vendimtare të NATO-s.

Hoti e përfundon mesazhin e tij duke theksuar se burgjet e Kosovës e presin Daçiqin, duke aluduar për drejtësinë që ende ka hesapet e pambyllura me të.

Deklaratat e Daçiqit kanë marrë një reagim të ashpër edhe nga Qeveria e Kosovës, e cila i ka dënuar ato si provokime të papranueshme.

Po ashtu, ministri për Evropën dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij për deklaratat e Daçiqit, duke theksuar se Kosova është një shtet i njohur dhe i pakthyeshëm.

Nga Rubrika