Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka bërë një deklaratë të rëndësishme lidhur me angazhimin e partisë së saj në proceset politike të vendit. Ajo theksoi se PDK-ja është kthyer në tryezën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje, duke e vendosur kauzën e përbashkët mbi interesat e ngushta partiake.
Musliu, gjatë pjesëmarrjes së saj në emisionin “Shoqet”, theksoi se partia e saj nuk ka kërkuar poste politike apo pjesëmarrje në qeveri. Ajo e përshkroi kërkesën e PDK-së si thelbësore, e cila përfshin procedimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
“Ne si Partia Demokratike e Kosovës kemi dalë mbi interesat tona partiake, për shkak të një kauze shumë më të madhe se vetë PDK-ja dhe çdo parti tjetër në Kosovë. Kemi vendosur të kthehemi në tryezën e bisedimeve,” tha Musliu.
Ajo sqaroi se partia nuk ka kërkuar që dikush të bëhet president apo të marrë pjesë në qeveri, duke theksuar se kërkesa e vetme ka qenë procedimi i ligjit për Specialen.
Musliu gjithashtu shprehu urimet e saj për presidenten Justina Shiroka-Pula, duke shprehur besim të plotë në vendimmarrjen e saj. Ajo e njohu Shiroka-Pulën që nga koha kur ajo ishte ministre, duke theksuar se njohja e tyre zgjat prej 17 vitesh.
Duke e cilësuar presidenten si një intelektuale të shquar dhe vendimmarrëse, Musliu shprehu besimin se Shiroka-Pula do të veprojë me përgjegjësi dhe do të ruajë integritetin e saj dhe të shtetit.
“Duke e njohur si një intelektuale dhe vendimmarrëse, kam besim të plotë në vendimet e Justina Shiroka-Pulës. E di se roli i këshilltarëve është i rëndësishëm, por besoj se ajo e ka marrë këtë mandat me vetëdije të plotë,” tha Musliu.
Deputetja përfundoi duke shprehur bindjen se Justina Shiroka-Pula nuk do të lejojë që kalkulimet politike të ndikojnë në vendimet e saj, duke theksuar se ajo nuk do të lejojë që asnjë çmim të dëmtojë fytyrën e shtetit.