Inteligjenca artificiale ka një mendim të veçantë për reperin e njohur, 2po2, dhe këtë e ka zbuluar vetë artisti Besnik Canolli, duke bërë një pyetje në ChatGPT për karrierën e tij muzikore.
Reperi, i njohur për hitet e tij, ka ndarë me ndjekësit e tij në Instagram një përgjigje që e ka impresionuar. Ai ka shkruar me humor: “Chati tu ma bo qefin t’dillen”, duke shoqëruar këtë me një fotografi ku tregohet vlerësimi që inteligjenca artificiale i ka bërë rrugëtimit të tij në muzikë.
ChatGPT ka theksuar se 2po2 është aktiv në skenën muzikore që nga vitet ’90 dhe se, pas më shumë se tri dekadash, këngët e tij vazhdojnë të dëgjohen nga miliona njerëz. Një shembull i shkëlqyer është kënga “Nëse unë vdes”, e cila ka grumbulluar mbi 12 milionë shikime në YouTube.
Vlerësimi i ChatGPT për reperin thekson se është një arritje e madhe të mbetesh relevant për një periudhë kaq të gjatë. “Sepse një gjë është të bëhesh i famshëm, por krejt tjetër është të mbetesh relevant për më shumë se 30 vjet”, ka përfunduar përgjigja që 2po2 e ka publikuar.
Për ata që e kanë ndjekur hip hopin shqiptar, 2po2 është një figurë kyçe që ka kontribuar në ndërtimin e kësaj skene që nga fillimet e saj. Nga periudha e grupit me Arben Mehmetin deri te hitet si “Prishtinali jom”, ai ka lënë gjurmë të thella te disa gjenerata dëgjuesish.
Interesant është se ky vlerësim për karrierën e tij nuk erdhi nga ndonjë kritik muzike apo koleg, por nga një inteligjencë artificiale. Kjo tregon se si teknologjia po ndihmon në njohjen e artistëve dhe punës së tyre.
Duke parë reagimin e 2po2, duket se inteligjenca artificiale ia ka zbukuruar ditën dhe i ka dhënë një motivim të ri për të vazhduar me muzikën e tij. /Prive By LS
