Reperi shqiptar me famë ndërkombëtare, GASHI, ka shprehur një reagim të fortë ndaj dhunës policore që po ndodh gjatë protestave në Shqipëri, duke mbështetur studentët dhe të rinjtë që protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në një postim të tij në Instagram, artisti i njohur u ka drejtuar fjalë të ashpra efektivëve të Policisë së Shtetit, duke dënuar me forcë dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe duke vënë në dyshim besnikërinë e tyre ndaj qytetarëve.
Në mesazhin e tij, GASHI shkruan:
“Policëve shqiptarë që po ngrenë dorë kundër të rinjve shqiptarë, të cilët po protestojnë paqësisht kundër korrupsionit dhe padrejtësisë: Turp t’ju vijë! Nga thellësia e zemrës sime, turp t’ju vijë!
Ata janë fëmijët tanë. GJAKU YNË. E ardhmja jonë. Mund të ishin djemtë tuaj, vajzat tuaja, vëllezërit apo motrat tuaja më të vogla. Imagjinoni të jeni prindër dhe të shihni se si pikërisht ata që janë betuar të mbrojnë fëmijën tuaj, bëhen njerëzit që e dhunojnë.
A nuk ju copëtohet zemra? A nuk ju flet ndërgjegjja?
Sa vlen besnikëria juaj? Sa para duhen që të harroni nga vini dhe kë duhet të mbroni?
Mbani mend diçka. Uniforma juaj është e përkohshme. Pozicioni juaj është i përkohshëm. Paratë tuaja janë të përkohshme. Edhe vetë jeta juaj në këtë tokë është e përkohshme. Por një ditë do të dilni përpara ZOTIT dhe do të jepni llogari për dhimbjen që keni shkaktuar.
Prindërit dhe gjyshërit tanë kanë sakrifikuar shumë më tepër sesa mund të imagjinojmë, që ne të kthehemi në një popull që ngrihet kundër fëmijëve të vet për rehatinë e atyre që janë në pushtet.
Shqipëria u përket fëmijëve të saj, jo xhepave të pushtetarëve.
Ju lutem, mbrojini të rinjtë tanë. Dëgjojini. Ata nuk janë armiqtë tuaj. Ata janë e ardhmja për të cilën ju duhet të luftoni.
Dhe nëse uniforma juaj ndonjëherë ju kërkon të harroni njerëzillëkun, kujtoni se përpara se të ishit policë, ishit shqiptarë. Ishit fëmija i dikujt. Ishit njerëz.
Zoti e mbroftë çdo të ri të pafajshëm që ngrihet për një të nesërme më të mirë.”

Reagimi i GASHI-t vjen në një moment delikat, kur protestat kundër qeverisë Rama vazhdojnë të shoqërohen me përplasje dhe denoncime të rënda për dhunë policore ndaj të rinjve.
Ndërsa disa figura publike shqiptare vazhdojnë të heshtin për situatën e tensionuar në vend, reperi me karrierë ndërkombëtare ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të qartë, duke kërkuar që policia të mbrojë qytetarët dhe jo interesat e pushtetit.
Mesazhi i tij është një thirrje për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi, duke kujtuar se uniforma nuk e përjashton askënd nga përgjegjësia për veprimet e tij.