Durim Aliu, organizatori i protestës së nesërme në Prishtinë, ka bërë thirrje për një pjesëmarrje masive në tubimin që do të zhvillohet në Sheshin Skënderbeu, duke filluar nga ora 12:00.
Aliu, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se ky protestim nuk është i motivuar nga interesa partiake, por është një thirrje për të gjithë qytetarët, për familjet e tyre dhe për të ardhmen e Kosovës.
Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se kjo është një nevojë emergjente dhe jo thjesht një kërkesë për ndërrimin e disa ministrave.
“Albin Kurti, koha e llogaridhënies ka ardhur! Nesër ne nuk dalim për parti, por për qytetarët, për familjet tona dhe për të ardhmen e Kosovës. Kërkojmë dorëheqjen e Albin Kurtit!”, ka shkruar Aliu në postimin e tij.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos presin që të tjerët të veprojnë në vend të tyre, duke përfunduar mesazhin me sloganin: “Republika është e qytetarëve!”.
Protesta është planifikuar të mbahet të dielën, më 1 nëntor, në orën 12:00, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë.
