Një autoblindë e Policisë së Kosovës është përfshirë në një aksident të premten mbrëma në veri të vendit, duke rezultuar me lëndime për disa zyrtarë policorë.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Grabovc, ku autoblinda që transportonte tetë operatorë dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë nga rruga.
Lajmin e ka konfirmuar zv/drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar, në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës”, ka thënë Elshani për RTV Dukagjini.
Ai ka thënë se “menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet kompetente policore për tu marrë me rastin. E po ashtu janë njoftuar edhe ekipet mjekësore me autoambulanca.
“Si pasojë e aksidentit zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime, dhe të njëjtit nga ekipet mjekësore janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor”, ka njoftuar Elshani.