Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për mënyrën se si po menaxhon borxhet dhe financat publike. Ajo theksoi se ndërsa në të kaluarën shteti merrte borxh për të zhvilluar infrastrukturën, sot qytetarët po detyrohen të marrin borxh për të mbijetuar.
Bajrami e filloi kritiken e saj ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar atë se kishte bërë propagandë gjatë një ligjërate në Gjakovë. Sipas saj, Murati përpiqej të argumentonte se rritja ekonomike e vendit në të kaluarën kishte ardhur si pasojë e borxheve, duke cituar një shifër prej 1.5 miliardë eurosh.
Ajo shprehu shqetësimin se ministri po e injoronte realitetin e aktualshëm, ku Qeveria vazhdon të merr borxhe pa investime të dukshme në infrastruktura. “Nëse dikush është duke mbajtur fjalime për borxhet, duhet ta pranojë se ne nuk kemi ndërtuar asgjë me këto borxhe. Ka mungesë totale të investimeve kapitale” – theksoi Bajrami.
Bajrami theksoi se Qeveria e Kurti po krijon një situatë të vështirë për qytetarët, duke i detyruar ata të marrin kredi për të përballuar rritjen e çmimeve. Ajo e citoi raportin e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila tregon se në fund të vitit 2024, kredia e re për qytetarët kishte arritur në 5.668 miliardë euro, me një rritje prej 768 milionë eurosh vetëm për vitin 2024.
Sipas deputetes, qeveria nuk është duke i ndihmuar qytetarët. “Politikat e Qeverisë i kanë në fakt futur qytetarët në borxh, duke i lënë ata pa mundësi për të mbijetuar”, tha ajo. Bajrami theksoi se shumë qytetarë po përballen me një krizë financiare për shkak të inflacionit të lartë dhe mungesës së mundësive për punësim.”
Ajo e përshkroi situatën si alarmante, ku qytetarët çdo ditë po përballen me vendime të vështira dhe krizë ekonomike të thellë. “Në vend që të marrin borxh për ndihmën e zhvillimit, ata po detyrohen t’i kthejnë kredi që nuk i shohin përfitime”, tha Bajrami.
Më tej, ajo theksoi se Qeveria duhet të marrë masa konkrete për të rritur investimet publike dhe zhvillimin ekonomik. “Për shumë vite tashmë është folur për nevojën e investimeve në infrastrukturë dhe shërbime publike. Më se shumti kemi dëgjuar fjalë, ndërsa rezultatet mungojnë”, shprehu ajo.
Bajrami e mbylli fjalimin e saj duke theksuar rëndësinë e ndryshimit dhe mobilizimit të qytetarëve. “Ne jemi më të vetëdijshëm se ndihma e Qeverisë është e pamjaftueshme. Ndryshimi është afër, dhe qytetarët kanë fuqinë për të sjellë ndryshimin e nevojshëm”, tha ajo, duke bërë thirrje për angazhim të gjerë nga ana e qytetarëve për të kërkuar llogari nga qeveritarët.