Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, ka deklaruar se kjo parti është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend, me mbi 200 mijë vota të fituara.
Gjatë një konference për media, Stavileci e vlerësoi këtë rezultat si një sukses të pamohueshëm për PDK-në dhe një mesazh të fuqishëm për të ardhmen e vendit.
“Sonte jemi në një situatë të pazakontë, kur ne, si parti politike, duhet t’ju tregojmë ju dhe qytetarëve për votën tonë, dhe jo KQZ, siç do të duhej të ishte. Megjithatë, tash jemi para jush për të ndarë një mesazh të qartë: Partia Demokratike e Kosovës ka arritur një rezultat të madh.
PDK është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend, me mbi 200 mijë vota. Ky është rezultati më i mirë i PDK-së në shumë vite dhe një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në vizionin tonë për Kosovën. Falënderojmë nga zemra secilin qytetar që besoi dhe votoi për Partinë Demokratike të Kosovës dhe për kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamza”, tha ai.
Stavileci theksoi se angazhimi për një Kosovë më të mirë tashmë ka filluar, pasi rezultati zgjedhor tregon qartë se qytetarët duan një qeveri të re.
“Ajo që kemi parë në këtë proces është e qartë: shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie. Rezultati tregon se ata kërkojnë një qeveri të re, një qeveri tjetër. Qytetarët tanë, me votën e tyre, treguan se besojnë që Kosova mundet më mirë. Tash po hyjmë në një fazë të re.
Ditët në vijim, me finalizimin e rezultateve zyrtare, kryetari ynë Memli Krasniqi dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, do të dalin me qëndrimin e tyre mbi hapat e ardhshëm. Ne jemi të lumtur me këtë rezultat dhe të motivuar për të çuar përpara besimin që na keni dhënë. Procesi zgjedhor ka treguar edhe një herë se Kosova mundet dhe duhet të bëjë më mirë – qoftë edhe në menaxhimin dhe numërimin e votave, qoftë në qeverisjen e vendit”, theksoi ai.
Ky rezultat zgjedhor ka ngjallur diskutime të gjera në skenën politike, duke e shndërruar PDK-në në një forcë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovë. Elektorati ka treguar një volitje të qartë për ndryshim, duke përfaqësuar një reflektim të shpresave dhe aspiratave të qytetarëve për një qeveri më transparente dhe efikase.
Për më tepër, Stavileci tha se PDK është e angazhuar për të dëgjuar zërin e qytetarëve dhe për të adresuar shqetësimet e tyre. “Ne dëshirojmë të jemi një qeveri që punon për qytetarët dhe jo për interesa të ngushta,” shtoi ai.