Gjatë këtyre ditëve, është evidentuar një rritje e konsiderueshme e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare për shkak të gripit sezonal, duke prekën veçanërisht fëmijët e vegjël.
Mjekët raportojnë se simptomat kryesore përfshijnë temperaturë të lartë, ethe, skuqje fyti dhe kollë të thatë.
Pas një periudhe të gjatë pa rëndesa shëndetësore të dukshme, javët e fundit kanë qenë të vështira për shumë prindër që kanë shikuar fëmijët e tyre të vuajnë nga virozat e stinës. Në Qendrën Kryesorë të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, specialistja e pediatrisë, Valbona Dermaku, tregon se rritja e numrit të vizitave është alarmante.
“Konkretisht fëmijët deri në 5 vjeç kanë pasur më shumë nevojë për ndihmë mjekësore. Shumica e rasteve që kanë ardhur për vizita janë menaxhuar dhe trajtuar simptomatikisht. Simptomat më të shpeshta përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje fyti, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore,” thekson Dermaku.
Dermaku ka theksuar gjithashtu se gripi te fëmijët zakonisht trajtohet me terapi simptomatike për një periudhë deri në shtatë ditë, pa përdorimin e antibiotikëve, të cilat nuk janë efektive ndaj virusit të gripit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë një analizë të qartë për situatën aktuale. Faik Hoti nga ky institucion ka njoftuar se intensiteti i gripit ka arritur nivelin e lartë të qarkullimit dhe tashmë ka kaluar pragun epidemik.
“Rastet të cilat janë regjistruar e kanë kaluar pragun epidemik. Ky zhvillim nuk është diçka e papritur, por ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të përdorin mjetin më efikas për parandalimin e gripit, që është vaksinimi,” tha Hoti, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit për të gjithë qytetarët.
Hoti gjithashtu përmendi se çdo qytetar, pa dallim moshe, përfshirë fëmijët që janë 6 muajsh deri në 5 vjeçare, ka mundësi të vaksinohet. Vaksinimi është një masë preventive kryesore në luftën kundër gripit dhe rrit shanset për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve gjatë periudhës së gripit sezonal.
Mjekët gjithashtu rekomandojnë që prindërit të jenë të vetëdijshëm për simptomat e gripit dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse fëmijët e tyre shfaqin shenja të rënduara të sëmundjes. Është e rëndësishme që ata të ndjekin këshillat e mjekëve dhe të mos e neglizhojnë shëndetin e fëmijëve të tyre, sidomos në këtë periudhë kur gripi është më i pranishëm.
Kur flasim për parandalimin, një higjienë e mirë, larja e duarve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me persona të infektuar janë disa nga masat që duhet të ndiqen. Një dietë e shëndetshme, e pasur me vitamina dhe minerale, gjithashtu kontribuon në forcimin e sistemit imunitar, duke ndihmuar trupin e fëmijëve të luftojë infeksionet.”