E shtunë, 12 Tetor, 2024
11.9 C
Pristina

Haradinaj thotë se Trepça është drejt kolapsit: Turpëruese retorika mashtruese e pushtetarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se menaxhimi i dobët i Trepçës dhe mungesa e investimeve serioze, këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit.

Në një postim në Facebook, Haradinaj është shprehur se nëse nuk intervenohet shpejt, gjendja do bëhet edhe më serioze.

Këto deklarata ai i ka bërë në 35-vjetorin e Grevës së Minatorëve, ndërsa ka theksuar se “është turpëruese retorika mashtruese e pushtetarëve”.

“Fatkeqësisht, kur jemi 5 vjet nga votimi i Statutit të Trepçës, menaxhimi i dobët dhe mungesa e investimeve serioze, këtë ndërmarrje po e dërgon drejt kolapsit. Nëse nuk intervenohet shpejt, gjendja do bëhet edhe më serioze”, ka shkruar Haradinaj.

“Është turpëruese retorika mashtruese e pushtetarëve e cila nuk e mbulon mungesën e financave, situatën me borxhe e prodhim material. Ndërkaq, punëtorët përballen me kushte të rënda pune, të ardhura tejet minimale”.

Sipas tij, Trepça ka potencial ta rikthejë shkëlqimin e dikurshëm dhe të jetë krah i fortë i ekonomisë së vendit.

Duke kujtuar grevat e minatorëve, ka thënë se ato ishin akte të guximshme dhe momente kthese në rrugën e Kosovës drejt lirisë.

“Sot, në shënim të 35-vjetorit të Grevës së Minatorëve, me nderim kujtuam veprën e më shumë se 1300 minatorëve të asaj kohe. Kjo grevë u shndërrua në një rezistencë gjithë-popullore, duke lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë”.

I pari i AAK-së ka theksuar se rikthimi i Trepçës në burim jete ishte mënyra më e mirë për të shpërblyer sakrificën e atëhershme të punëtorëve të devotshëm.

“Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të ‘Trepçës’ e regjistruam si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Ky ishte një hap kyç për t’i dhënë këtij aseti fuqinë e nevojshme për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave, për punësim dhe për ta rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit dhe shtetit të Kosovës, si dhe për të mbështetur vetë Minatorët, duke i bërë hisedarë me 20% të aksioneve”, ka shtuar Haradinaj. /Telegrafi/

Nga Rubrika