E martë, 24 Dhjetor, 2024
0.8 C
Pristina

Kërkimet për të pagjeturit, për herë të parë përdoret teknologjia “LIDAR” e ardhur nga Zvicra

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Për herë të parë në qiellin e Kosovës e vendosur në një dron, ka fluturuar pajisja speciale teknologjike e quajtur Lidar, duke e skanuar sipërfaqen e tokës në gjashtë lokacione ku dyshohet se mund të ketë trupa të të zhdukurve nga lufta e fundit.

Kjo pajisje nuk arrin të tregojë në radar eshtra ose përbërjen e brendshme të tokës, por e regjistron perimetrin e tokës ku ka forma të ç’rregullta, e që mund të jenë shkaktuar nga faktor të pazakontë.

“Ndërsa në lidhje me lokacionet që janë testuar, qoftë nga pajisja ose teknologjia LIDAR, apo edhe me kombinimin e radarit depërtues tokësor (GPR), varësisht edhe prej specifikave dhe të dhënave të tjera, ne jemi në fazën e vlerësimit dhe në komunikim me ekspertë të Universitetit të Lozanës, dhe besoj pastaj në ditët në vijim do ta shohim se si mund të procedohet tutje, pa përjashtu mundësinë që këto lokacione do të jenë pjesë e agjendës në kuptimin e gërmimit vlerësues”, ka deklaruar për Tv Dukagjinin Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Kërkimet janë rezultat i insistimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, e që janë mundësuar falë ndihmës së Ambasadës Zvicerane, dhe janë realizuar me ndihmën e një ekipi të ekspertëve nga Universiteti i Lozanës.

Pajisje tjetër e përdorur në terren ka qenë edhe GPR, një lloj radari depërtues tokësor, i aftë të dallojë gjësendet ose format e pazakonta në rreth 1 metër thellësi, por jo eshtrat specifikisht.

“Edhe përdorimi i pajisjeve të tilla, pra siç është Lidari, radari depërtues tokësor, pamjet satelitore, pamjet ajrore, gjithsesi duhet të jenë edhe janë pjesë e agjendës së punës dhe angazhimit tonë, në mënyrë të veçantë po e them duke e pasur parasysh këtë qasjen politizuese të Serbisë”, ka theksuar Gara.

Sipas Garës do të shqyrtohen se cilat janë mundësitë e përdorimit të këtyre pajisjeve, dhe format se si mund t’i sigurojë Kosova. Ky aktivitet është realizuar në kuadër të zbatimit të Deklaratës për Persona të Zhdukur, megjithëse Serbia, po i shmanget asaj.

PROMO

Nga Rubrika