Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot ka nxjerr dekretin që të shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
Sipas saj, nëpërmjet këtij dekreti po kryen detyrimin e saj që është përcaktuar me Kushtetutë.
“Jam këtu përpara jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës së Kosovës.
Andaj sot në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit”, tha presidentja.
“Kushtetuta nuk tekst ceremonial, është kontrata jonë e përbashkët si shtet, është kufiri që politika nuk mund të kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund të humbasin.
Mbrëmë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as rastësor, as i pamenduar. Por, përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, tha ajo.Sipas saj, neni 86 i Kushtetutës duhet të zgjidhjet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual.
“Mandati im përfundon më 4 prill 2026. Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat politik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues”, tha e para e shtetit. /Telegrafi/