Shtimi i tensioneve dhe protestat masive që kanë përfshirë rrugët e Tiranës gjatë ditëve të fundit kanë nxitur reagime të shumta jo vetëm nga politika, por edhe nga figura publike.
Në këtë atmosferë të trazuar, ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, Klodian Mihaj, ka ndarë mendimet e tij në rrjetet sociale, duke reflektuar mbi situatën aktuale dhe përvojat e tij personale.
Ai ka ndarë me ndjekësit e tij historinë e familjes së tij, e cila u detyrua të largohej nga Shqipëria në vitin 2001. Klodi shprehet se largimi i tyre nuk ishte një aventurë, por një nevojë për të gjetur një jetë më të dinjitetshme.
“Nuk ikën për luks apo për aventura, por sepse vendi që donin nuk u ofronte as minimumin për të jetuar me dinjitet: një punë të ndershme, një shans të barabartë dhe një të ardhme të sigurt për ne fëmijët e tyre.”
Me kthimin e tij në Shqipëri, Klodi përballet me të njëjtin realitet të hidhur që e detyroi familjen e tij të largohej. Ai shpreh shqetësimin se problemet që përballeshin prindërit e tij mbi 20 vjet më parë, janë po ato që po mbysin brezin e ri sot.
“Më thyhet zemra kur shoh se hallet me të cilat u përballën prindërit e mi mbi 20 vjet më parë, janë po ato që po mbysin brezin e ri sot.”
Klodian shpreh dhimbjen e tij për rininë shqiptare, duke theksuar sakrificat që bëjnë prindërit për të siguruar një arsim të mirë për fëmijët e tyre. Ai ngre pyetje të rëndësishme mbi të ardhmen e rinisë shqiptare.
“Më dhemb shpirti për këtë studentë dhe për prindërit e tyre, që sakrifikojnë kafshatën për t’i shkolluar, e në fund e gjejnë veten përballë të njëjtit ankth: a duhet t’i shikojnë fëmijët e tyre duke marrë rrugët e botës?”
Ai gjithashtu thekson se largimi nga atdheu duhet të jetë një vendim i lirë dhe jo një domosdoshmëri për të gjetur një jetë me dinjitet. Klodian apelon për një ndryshim të nevojshëm në shoqërinë shqiptare.
“Zëri i këtyre të rinjve meriton të dëgjohet!”
Në përfundim, ai shpreh mbështetje për të rinjtë dhe të drejtat e tyre për një jetë më të drejtë, duke theksuar se ata meritojnë të kenë vend për ëndrrat e tyre në vendin që duan.
“Jam plotësisht në krah të studentëve dhe të drejtës së tyre për të kërkuar një jetë të drejtë. Ata meritojnë të kenë vend për ëndrrat e tyre pikërisht në vendin që duan.”