E diel, 3 Nëntor, 2024
7.7 C
Pristina

Maqedonci: Për 10 herë radhazi janë nënshkruar kontrata emergjente për ushqimin e ushtarëve, duhet zgjidhje afatgjate që garanton vetëqëndrueshmëri

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një raportim para Komisionit për Siguri ka folur për zhvillimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të arriturat, gjersa ka sqaruar edhe lidhur me çështjen e shërbimit të ushqimit për pjesëtarët e FSK-së.

Maqedonci para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se në këtë periudhë janë në një situatë pak më të vështirë, por sipas tij, arsyet pse kanë ardhur deri këtu janë për shkak se nga viti 2015 deri në 2024-në për 10 herë radhazi janë nënshkruar kontrata ekstra emergjente për çështje e ushqimit që kanë garantuar vetëm për një periudhë të shkurtër kohore ushqimin.

“Aktualisht jemi në koordinim dhe në punë e sipër për të zgjidhur çështjen e shërbimit të ushqimit. Kontrata aktuale është subjekt i trajtimit nga mekanizmat e kontrollit të brendshëm në Ministrinë së Mbrojtjes dhe posa të përfundojë do të keni informacion shtesë.

Ndërkaq, fokusi jonë është që të ndërtojmë një koncept të ri që garanton vetqëndrueshmëri me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës, koncept që do të aplikohet në vazhdimësi”, tha Maqedonci, raporton Telegrafi.com.

Ai tutje shtoi se janë në një situatë pak më të vështirë në këtë periudhë për shkak të stagnimit në çështjen e kontratës dhe tranzicionit te shërbimi i ushqimit me kapacitete vetanake, duke shfrytëzuar furnizimin përmes autoritetit qendror të prokurimit.

“Arsyet pse kanë ardhur deri këtu janë kryesisht për shkak të tejzgjatjes edhe në aspektin e viteve të problemit të furnizimit të qëndrueshëm me ushqim të Forcës së Sigurisë.

Nga viti 2015 deri në vitin 2024 për 10 herë radhazi janë nënshkruar kontrata ekstra emergjente për çështje e ushqimit që kanë garantuar vetëm për një periudhë të shkurtër kohore ushqimin e pjesëtarëve të FSK-së. Kjo ka bërë që të vlerësojmë që ne duhet të shikojmë dhe të analizojmë këtë çështje dhe të vijmë në përfundim se duhet të mendojmë një zgjidhje afatgjatë për çështjen e ushqimit…”, tha ai. /Telegrafi/

Nga Rubrika