Web Analytics

Ndryshime të mëdha në Komunën e Prishtinës, Rama shkarkon nënkryetaren Donjeta Sahatçiu

Botuar nga: InfoKosova

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të kryeqytetit.

Përmes një njoftimi në Facebook ai ndër të tjera ka njoftuar edhe për shkarkimin e nënkryetares Donjeta Sahatçiu, e cila vjen nga radhët e PDK-së.

Nënkryetare e re e Prishtinës është emëruar zyrtarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

Rama ka thënë se shkarkimi i Donjeta Sahatçiut lidhet me ngecjet në fushën e digjitalizimit.

“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, tha ai.

Dr. Jehona Lushaku – Sadriun, Rama e ka emëruar edhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit.

“Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, Ilir Murseli. Kjo drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, shkroi Rama.

Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, i pari i kryeqytetit ka marrë vendim që të bashkojë këto dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, Arbër Sadiki.

“Dua të falënderoj Drejtoren e deritanishme të Planifikimit Strategjik Mimoza Sylejmani për punën dhe përkushtimin e saj profesional. Sylejmani ka marrë përgjegjësinë e këshilltares për planifikim brenda kabinetit tim”.

Më tutje, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku.

Ndërsa, Drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit.

“Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie”, tha ai.

Një çështje tjetër që po preokupon shumë qytetarët e Prishtinës dhe ende nuk i është dhënë zgjidhje, janë qentë endacak.

“Andaj, sot kam kërkuar nga Drejtori për Siguri dhe Emergjenca që të ndryshojë gjendjen në mënyrë substanciale deri në fund të këtij viti. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, për mua është një prej elementeve më të rëndësishme të qeverisjes”.

Procesi i transformimit të kryeqytetit sipas Ramës kërkon punë e përkushtim të jashtëzakonshëm.

Ai thotë se ky është një proces i gjatë në të cilin kërkohet konsistencë, vendosmëri dhe profesionalizëm.

“Ky është ristrukturimi i parë i qeverisjes në Kryeqytet në të mirë të Prishtinës dhe qytetarëve të saj, pa dallim”, përfundoi Rama./Telegrafi/

RRJETET SOCIALE

1,162,113FansaPëlqeje
27,988NdjekësitNdjek
989NdjekësitNdjek
406AbonentëAbonohu

Të FUNDIT