E enjte, 21 Nëntor, 2024
-0.3 C
Pristina

Nga dhjetori në dhjetor

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Në fundin e viteve 1990, shqiptarët kishin shpresë se Shqipëria do të hynte në një epokë të re. Atë të një zhvillimi normal politik. Me rregullimin që sjell vetvetiu antinomia “pushtet – qeveri”.

Nga: Monika Stafa

Kështu ndodh në historinë e pushteteve në Perëndim – në demokracitë perëndimore apo ato me demokraci liberale, siç quhet në gjuhën e sotme të historiografisë botërore. Dhe, ja, në Shqipëri u themelua opozita e parë politike, me program të djathtë dhe me populizëm të majtë. Ndodhi në dhjetor të vitit 1990. U krijua Partia Demokratike e Shqipërisë. Ndërsa, Partia Komuniste e atëkohshme vendosi të kthehej në parti parlamentare.

Ajo pranoi të përballonte konkurrencë duke hequr dorë nga privilegji kushtetues i hegjemonisë mbi pushtetin. Por, a po krijohej vërtet një sistem politik parlamentar me të gjitha virtytet e veta? Çfarë po ndodhte me shqiptarët? Përse ata u gënjyen sërish? Ishte koha kur salla e shfaqjeve të Akademisë së Arteve mbushej me intelektualë që e kishin kuptuar se kishte ndërruar forma e luftës politike. Por, jo lufta në tërësi. Ishin krijuar rreshtimet e reja. Por, ende opozita nuk e kishte marrë fytyrën që duhej. Dhe, as pushteti i vjetër nuk ishte i gatshëm të dorëzohej apo të tërhiqej. Dhe, as nuk do të ndodhte edhe për shumë kohë.

Megjithatë, revolucionet kishin mbaruar. Koha e mendjes dhe e punës kish ardhur. Ky ishte një mesazh që intelektualëve të asaj kohe u vinte publikisht prej zërave perëndimorë. Kështu ata i ikën rrugës dhe manifestimit publik. Një grupim i vogël njerëzish të mendjes bënë hapin e parë për institucionalizimin e një opozite mirëfilli si të tillë. Themeluan institucionin e refleksioneve. Institucionin që pretendonte të kthente luftën politike në opozitarizëm. Po përse ‘refleksionet’ nuk arriti dot të kryhej? E aq më pak të përkryhej ky institucion? Kush e pengoi? Dhe, kush e ngatërroi fillin e kësaj historie? Sot pas 33 vitesh është e vështirë të pohosh. Të pranosh. Apo dhe ta shpjegosh pse në Shqipëri opozitarizmi nuk ka shkëlqyer ndonjëherë.

E vërteta është se pushteti qarkullon, çfarë do të thotë se në Parlament ka të majtë e të djathtë. Po ku mbeti ajo Shqipëri që do duhej të bëhej herët? Ai brez i fundviteve 1980 që shënjoi historinë politikë të mendimit ndryshe? Larg asaj që nisi gjithsecili tanimë kish zënë një vend: dikush politikisht i angazhuar, dikush midis politikës e mendimit, dikush individ i vetëveçuar. Edhe njëherë u provua se opozitarizmi në Shqipëri erdhi si shkëlqimi i shkurtër i shkrepjes së një vetëtime. Në formën e një dehjeje emocionale që nuk njohu dot themele të forta për t’u rritur. Në mendim dhe platformë. Duke sjellë si rrjedhojë errësirën e mendimit dhe një luftë të gjatë dhe tani krejt të vjetër politike. Në këto dekada fushatat e zgjedhjeve kanë njohur një garë palësh vazhdimisht në luftë politike. Pa mendim. Pa platformë. Pa ide. Sepse edhe sezonet e lëvizjeve të mendimit dhe të shpirtit idealist në Shqipëri kanë qenë thjesht stacione të shkurtra kalimtare në rrugën e jetës së shtetit politik shqiptar.

Pak opozitarizëm e shumë luftë politike. Sepse ka pasur akoma dhe më pak idealizëm ndër mendimtarët apo refleksionistët e tij. Mendja politike “pushoi” së reflektuari dhe vendin e saj e zuri veprimi politik. Ata të cilët e kanë pasur vokacion të brendshëm zhvillimin e opozitarizmit lanë garën në mes dhe qëllimin nuk mundën ta çojnë deri në fund. Si të ringjallet opozitarizmi, si të funksionojë parlamentarizmi, si të kthehet lufta politike në garë alternativash, si të shpëtohet nderi i vendit nga mungesa e mekanizmave bazë të rregullimit shtetëror; a nuk është e lehtë ajo që duhej të ndodhte? Pra, si të qeveriset Shqipëria ndryshe! E jo si ta marrim pushtetin!

Nga Rubrika